E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Franca dhe Gjermania reagojnë për dënimet e dhëna në Hagë
Bota

Franca dhe Gjermania reagojnë për dënimet e dhëna në Hagë

UÇK-ja nuk ishte në gjyq, aktgjykimi nuk shfajëson krimet e regjimit jugosllav

Franca dhe Gjermania kanë reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar rëndësinë e respektimit të procesit gjyqësor dhe duke bërë njëkohësisht të qartë se vendimi nuk duhet interpretuar si mohim i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në reagimin e saj zyrtar, Franca vuri në dukje se vendimi i Dhomave të Specializuara mund të ankimohet dhe se me të përmbyllet faza e proceseve të shkallës së parë për çështjet përkatëse, me përjashtim të rasteve që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Parisi rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe angazhimin e saj në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Në të njëjtën kohë, Franca theksoi se qëndrimi i saj ndaj pavarësisë së Kosovës dhe institucioneve të saj mbetet i pandryshuar.

Ndërkohë, një mesazh të rëndësishëm përcolli edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Reiner Rudolph.

Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte subjekt i gjykimit dhe se as synimi i saj për një Kosovë të pavarur nuk ishte objekt i këtij procesi.

Sipas ambasadorit gjerman, aktgjykimi nuk ndryshon përgjegjësinë që mbajnë aktorët jugosllavë për konfliktin e armatosur dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut ndaj popullsisë së Kosovës.

Rudolph rikujtoi se gjatë fundit të viteve ’90, populli i Kosovës u përball me shkelje të gjera të të drejtave të njeriut, të cilat janë trajtuar edhe në procese të tjera ndërkombëtare dhe që u bënë një prej faktorëve të ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare.

Në këtë kuadër, Gjermania nënvizon se vendimi i Dhomave të Specializuara duhet parë brenda kufijve të mandatit të kësaj gjykate dhe nuk përbën një rivlerësim të të gjithë historisë së luftës në Kosovë.

Qëndrimet e Parisit dhe Berlinit vijnë në një moment kur aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka rikthyer në qendër të debatit publik në Kosovë dhe më gjerë çështjen e përgjegjësisë individuale për krimet e pretenduara, por edhe kontekstin e luftës dhe krimeve të kryera ndaj popullsisë civile kosovare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.