Loja e dyfishtë me Brukselin nuk pi më ujë
Kur triumfalizmi i Edi Ramës përplaset me murin e Berlinit dhe Hagës
Edi Rama është një mjeshtër i shitjes së dështimeve si fitore historike dhe i premtimeve boshe si certifikata evropiane. Por, këtë herë, skenari i tij i zakonshëm propagandistik pësoi një goditje të fortë atje ku i dhemb më së shumti: në fasadën ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë kur Brukseli vizitohej nga zyrtarë të lartë dhe Marta Kos – e përzgjedhura për të udhëhequr Zgjerimin – deklaronte me doza të sheqerosura se “duhet të mësojmë nga dashuria që Shqipëria ka për Evropën”, realiteti në Tiranë ishte krejt ndryshe. Ndërsa Rama po shijonte në kryeqytetin belg këto grimca triumfi, dy ambasadorë në Tiranë, që përfaqësonin dy prej vendeve që kishin hapur më shumë andrralla për raportin e IBAR, ata të Gjermanisë dhe Holandës, ia ngrinë buzëqeshjen në buzë. Edhe njëri edhe tjetri, pak a shumë në të njëjtën kohë dhe me tekste që dukeshin hapur se ishin rakorduar më parë, i përplasën në fytyrë të gjithë problemet e pazgjidhura të vendit.
Kjo shuplakë diplomatike vjen në një moment delikat. Pyetja që sot rëndon mbi opinionin publik është pikërisht ajo që qytetarët me ironi dhe zhgënjim po e thonë me zë të lartë: Sa shumë e do Evropa Shqipërinë që mbështet një lider, gjysma e skuadrës së të cilit është në gjyq ose në burg për mashtrim dhe korrupsion?
Dashuria e rreme dhe kushtet e vërteta
Me këmbënguljen e shteteve që ata përfaqësojnë edhe raporti IBAR, që u miratua pak ditë më parë, e kishte ashpërsuar shumë gjuhën, si për “korrupsionin thelbësor” që ka gangrenizuar qeverisjen, si për zgjedhjet “pa kushte të barabarta loje”, si për mos dënimin e zyrtarëve të lartë, po ashtu posaçërisht për refuzimin për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut.
Ndryshe nga Rama që propagandon në Tiranë se Komisioni Evropian ka certifikuar tashmë se ne i kemi përmbushur detyrat e shtëpisë, dy ambasadorët u kujdesën të thonë se kjo nuk është e vërtetë. Hapja e dritës jeshile, në bllokun e parë të negociatave, është më tepër një inkurajim gjeopolitik për të vazhduar rrugën sesa një notë pozitive për qeverinë. Ata e theksojnë qartë në deklaratat e tyre se do i mbajnë në vëzhgim të rreptë zhvillimet që do të ndodhin në të ardhmen, posaçërisht te grupkapitujt që etiketohen si “Themeloret”.
Kush e njeh sadopak Metodologjinë e Re të Zgjerimit që ka miratuar BE-ja në vitin 2020, e kupton peshën e këtij paralajmërimi. Këta kapituj (Shteti Ligjor, Drejtësia, Lufta ndaj Korrupsionit) janë filtra politikë të pakalueshëm. Nëse këtu ngecet, i gjithë procesi kthehet mbrapsht, pavarësisht nëse plotësohen kriteret ekonomike apo mjedisore.
Kurthi gjeostrategjik: Pse u lëshua pe?
Pra, thënë thjeshtë, Berlini dhe Haga u kujdesën të na kujtojnë se kushtet e vjetra kanë mbetur po aty. Të njëjta dhe të panegociueshme. Nëse Rama nuk pranon të dorëzojë shokët, nëse ai nuk i jep fund filozofisë së një shteti kleptokrat, nëse ai vijon e mbron ish-zëvendësen e tij, e ardhmja evropiane mbetet një iluzion optik.
Por atëherë, lind natyrshëm pyetja: Pse Gjermania dhe Holanda pranuan ta miratojnë raportin IBAR nëse Shqipëria nuk bëri asnjë reflektim për mirë?
Përgjigja nuk ka të bëjë me sukseset e Rilindjes, por me një qasje të ftohtë gjeostrategjike që ka përfshirë BE-në që prej shpërthimit të konfliktit në Ukrainë:
Sinjali për Ballkanin: Unioni duhet të japë me patjetër mesazhin se zgjerimi është ende një proces gjallë.
Uniteti i Brendshëm: Shmangia e përplasjeve dhe çarjeve mes Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare skeptike.
Shtyrja e Problemit: Në vend që të shërbenin si digë bllokuese tani, kushtet thjesht u transferuan drejt një faze të mëpasme.
Në mënyrë pragmatiste, Evropa vendosi të mos e mbajë Shqipërinë jashtë dere për shkak të luftës gjeopolitike me Lindjen, por kjo nuk do të thotë se bëri syrin qorr ndaj korrupsionit galopant që ka kapur shtetin. Dhe që ky moment të mos trajtohej me triumfalizëm e të mos përdorej si ushqim për propagandën elektorale të radhës, Berlini dhe Haga ia plasën Ramës të vërtetën në sy, pa pasur kohë as të gëzohej.
“Dashuria” e Evropës për Shqipërinë nuk kalon nga zyrat e korruptuara të pushtetit, dhe këtë tashmë e thonë hapur edhe vetë partnerët tanë më skeptikë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



