E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Fundi i arratisë 30-vjeçare, për vrasësin  Sokol Hoxhaj
Flash

Fundi i arratisë 30-vjeçare, për vrasësin Sokol Hoxhaj

 

Një histori kriminale që nisi në kaosin e vitit 1997 në Shqipëri dhe u shtri nëpër Europë e deri në SHBA, ka marrë fund këtë javë. Pas gati tre dekadash në kërkim, Sokol Hoxhaj, tashmë 52 vjeç, është vënë në pranga në Ohajo, duke mbyllur një nga kapitujt më të gjatë të arratisë nga drejtësia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare.

Kronologjia e krimeve: Nga Patosi në Bruksel

Rrugëtimi i përgjakshëm i Hoxhajt nisi në mars të vitit 1997, kur gjatë trazirave në Shqipëri, ai akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në qytetin e Patosit. Për këtë krim, ai është dënuar në mungesë me 25 vite burg nga gjykatat shqiptare.

Megjithatë, kjo ishte vetëm nisja. Pasi u arratis drejt Greqisë e më pas në Belgjikë, Hoxhaj dyshohet se u përfshi në rrjetet e shfrytëzimit të prostitucionit. Sipas autoriteteve belge:

 Ai kishte sajuar një martesë me shtetasen Brunilda Dervishi.

 E shfrytëzonte viktimën për prostitucion në Bruksel.

 Në fund të vitit 1997, ai e ekzekutoi atë në një bar të qytetit, pasi ajo kishte refuzuar t’u bindej urdhrave të tij.

Strategjia e fshehjes: “Refugjati” nga Kosova

Për t’i shpëtuar drejtësisë belge, Hoxhaj përdori një skemë të njohur të kohës. Ai siguroi dokumente të falsifikuara kosovare, duke përfituar nga statusi i refugjatit gjatë luftës në Kosovë për të fituar leje qëndrimi në Britaninë e Madhe.

I pasigurt se mund të zbulohej, në fillim të viteve 2000 ai u zhvendos drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atje, nën një identitet të ri dhe me një jetë në dukje të qetë, ai arriti të fshihej për më shumë se dy dekada.

Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe arrestimi

Kapja e tij erdhi pas një operacioni kompleks inteligjence. Hetimi përfshiu një kordinim mes pesë shteteve.

Kapja e tij u bë nga  gjurmët e gishtave dhe krahasimi i fotografive të vjetra me ato aktuale përmes teknologjisë moderne.

Hoxhaj u arrestua më 5 maj në Ohajo. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim në SHBA, ndërsa autoritetet amerikane po shqyrtojnë kërkesat për ekstradim. Mbetet për t’u vendosur nëse ai do të sillet fillimisht në Shqipëri për të vuajtur dënimin prej 25 vitesh, apo do të dërgohet në Belgjikë për t’u përballur me akuzën e vrasjes së dytë

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.