Fundshpina e opozitës dhe fytyra që Rama nuk guxon ta shohë

Naim Noka | Opinion | Publik.al
Në Kuvend, opozita i ktheu fundshpinën kryeministrit Rama. Një akt simbolik, i fortë, por realiteti është se sot kryeministri nuk kontrollon më qeverinë e tij, por është peng i të pandehurës zv/kryeministre Belinda Balluku.
Rama skërmiti i nervozuar dhe me pak ironi duke thënë: “Më mirë shpinat tuaja sesa fytyrat tuaja”. Por pyetja që sot shtrohet është krejt tjetër:
A ka guxim kryeministri t’u shohë në sy fytyrat e atyre që e mbajnë peng politikisht?
Ndërkohë që Rama tallet me opozitën dhe e quan “kashtë e koqe”, fakt është se telefoni i Vis Berberit vazhdon të qëndrojë në SHBA, në të njëjtën kohë, në Amerikë flitet për arrestimin e një “të forti” me nam nga Shqipëria. Dhe sërish, heshtje. Në Tiranë, institucionet nuk lëvizin as qerpikët. Sepse arrestimet jashtë vendit prishin ekuilibrat brenda vendit.
Drejtësia e tredhur! SPAK dhe GJKKO nuk guxojnë as pezullimin minimal
Në çdo shtet minimalisht serioz, një zyrtar i pandehur pezullohet menjëherë nga detyra.
Në Shqipëri, SPAK dhe GjKKO nuk kanë “këllqe” as për këtë hap elementar.
Pse?
Sepse kur akuzat ngjiten shumë lart, mbi ministrat, mbi zyrtarët më të fortë, sistemi fillon të dridhet. Dhe dridhjet prodhojnë heshtje, jo drejtësi.
Duam apo s’duam, pamja është e qartë:
Shqipëria po bëhet gazi i botës.
Provave u ikën valixhet jashtë vendit, të fortëve u ikin këmbët atje ku drejtësia funksionon, ndërsa drejtësia jonë mbetet këtu e ngujuar, e frikësuar dhe e kapur.
Në këtë panoramë, fakti që opozita i ktheu fundshpinën Ramës është thjesht fotografi bardhezi politike. Opozita nuk po ngre dot ushkurët… por drama e vërtetë është tjetër:
kryeministri i vendit është peng i zv/kryeministres së tij të pandehur, ndërsa institucionet e drejtësisë rrinë të ngrira, të heshtuara e të trembura duke pritur Godonë…..
Dhe kur shteti ka frikë nga të pandehurit e vet, kur pushteti i dorëzohet panikut të një dosjeje që ndodhet në Amerikë, atëherë çfarë vlere ka më retorika në Kuvend?
Në fund të ditës, nuk është opozita që i ka kthyer shpinën Ramës.
Është drejtësia që i ka kthyer shpinën Shqipërisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



