Gara për Avokatin e Popullit hyn në fazën finale
Gara për Avokatin e Popullit po hyn në ditët vendimtare, ndërsa mes mazhorancës dhe opozitës ka nisur tashmë një përplasje e hapur për emrin që do të zgjidhet në seancën e 11 dhjetorit.
Sali Berisha, në konferencën e sotme për mediat, ishte i prerë: Partia Demokratike do të mbështesë vetëm kandidatët e saj, duke vënë në qendër të listës Besim Ndregjonin. Ai theksoi se PD nuk do të japë asnjë mbështetje për kandidaturën e Endri Shabanit, i cili konsiderohet nga mediat si emri që mazhoranca synon të votojë.
“Ne mbështesim vetëm emrat tanë. Kandidati ynë kryesor është Besim Ndregjoni. Për kandidaturën e Shabanit nuk ka mbështetje nga PD,” deklaroi Berisha.
Ndërkohë, mazhoranca pritet të konfirmojë në votim mbështetjen për Endri Shabanin, i cili është një nga 7 kandidatë që kanë siguruar firmat e nevojshme për të kaluar në fazën e dytë të përzgjedhjes.
Lista e plotë e kandidatëve që kanë marrë mbi 28 firma është:
1. Endri Shabani
2. Jola Hysaj
3. Adriana Kalaja
4. Besim Ndregjoni
5. Arianita Brahaj
6. Tartar Bazaj
7. Skënder Haluca
Me qëndrimet tashmë të qarta – opozita me Ndregjonin dhe mazhoranca me Shabanin – votimi i 11 dhjetorit pritet të shndërrohet në një betejë të drejtpërdrejtë politike, ku konsensusi duket gjithnjë e më i largët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



