Kush e shoqëroi ministrin? Toni Gogu nuk shkoi vetëm te Veliaj në mes të natës
Kush hyri me Gogun në qelinë e Veliajt dhe pse u mbajt gjithçka larg SPAK-ut?
Vizita e ministrit Toni Gogu në burgun e Fierit, ku takoi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, vijon të ngrejë pikëpyetje mbi mënyrën se si u zhvillua dhe nëse u respektuan procedurat që zbatohen për personat në paraburgim.
Gazetarja Anila Hoxha solli detaje mbi qëndrimin e Veliajt në institucionin e vuajtjes së dënimit në Fier. Ajo tregoi se nëna e kryebashkiakut shkon çdo ditë për t’i dërguar ushqim, por largohet pa zhvilluar takim me të, në mënyrë që të mos konsumojë numrin e vizitave mujore që i takojnë familjes.
Sipas Hoxhës, të paraburgosurit kanë një kalendar të përcaktuar takimesh dhe familjarët e Veliajt duket se po përpiqen t’i ruajnë këto mundësi, duke mos i shpenzuar për vizita të tjera.
“Çdo i burgosur ka një kalendar se sa takime kryen dhe në mënyrë absolute këto i ka të shenjta dhe kërkon të mos i djegë për askënd tjetër, përveç familjes. Aq të shenjta duket se janë edhe për Veliajn, sa sot më treguan se si e ëma e tij, për të mos djegur këto ditë, shkon çdo ditë, lë ushqimin dhe largohet, sepse Veliaj vazhdon të mos konsumojë vaktet e burgut. Pra, e ëma shkon, lë ushqimin dhe kthehet, derisa bëhet ky bonusi i 4 herëve në muaj.”
Vizitat gjatë natës dhe mungesa e njoftimit të SPAK
Një tjetër çështje që Hoxha vuri në qendër të diskutimit ishte takimi i ministrit Toni Gogu me Veliajn gjatë natës. Gazetarja ngriti pikëpyetje edhe për praninë e mundshme të një zyrtari tjetër të ministrisë, si dhe për faktin se SPAK, sipas saj, nuk ishte vënë në dijeni për këtë vizitë.
Për të shpjeguar atë që e konsideron një trajtim të ndryshëm nga praktika e ndjekur në raste të tjera, Hoxha solli në vëmendje edhe qëndrimin që SPAK ka mbajtur më parë ndaj kërkesave për takime me të paraburgosur të tjerë, duke përmendur rastin e Fredi Belerit.
Ajo shpjegoi se, sipas rregullave që përmendi në emision, takimet e zakonshme të familjarëve përcaktohen nga administrata e burgut, ndërsa pa autorizim mund të kryejnë takime vetëm prokurori që po heton çështjen dhe oficeri i policisë gjyqësore që vepron në funksion të hetimit.
“Nëse ne do të shohim vizitën e natës të ministrit Gogu apo, sikurse thonë, se ka qenë bashkë me një zyrtar tjetër të ministrisë. Nëse ne do ta krahasojmë me takimet që mohoheshin, jo vetëm për mediat, por edhe për këdo tjetër, për zyrtarë të lartë, për Fredi Bejlerin, të cilat SPAK i refuzonte në mënyrë këmbëngulëse, duket që ka një anomali. Por ta krahasojmë se çfarë ndodh me të paraburgosurit dhe sidomos me ata që janë në llogari të SPAK. Nuk është vetëm takim në orët e natës anomali. Në orët e natës e ka takuar dhe Avokati i Popullit. Kush e takon të paraburgosurin pa leje? Pra, vendoset kalendari nga drejtori, pra familja e ngushtë që janë 4 herë në muaj. Vetëm dy subjekte e takojnë pa leje: prokurori që e ka nën hetim dhe oficeri i policisë gjyqësore që kryen veprime hetimore për llogari të prokurorit të çështjes.”
Hoxha: SPAK nuk ishte njoftuar, pritet raporti për vizitën e Avokatit të Popullit
Gazetarja theksoi se Erion Veliaj vijon të jetë në paraburgim në kuadër të procedimit të SPAK dhe nuk është një person i dënuar, për të cilin mund të organizohen takime në kuadër të një interviste apo aktiviteti tjetër.
Ajo përmendi gjithashtu kontrollet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, vizitën e Avokatit të Popullit gjatë natës dhe raportin që, sipas saj, ende nuk është bërë publik. Hoxha ngriti pikëpyetjen nëse, përtej verifikimit të kushteve dhe të drejtave të të paraburgosurit, duhet të hetohet edhe mundësia e shpërdorimit të detyrës nga personat përgjegjës.
Në përfundim, ajo rikujtoi se Veliaj i kishte dërguar një deklaratë me shkrim gjykatës gjatë natës, ku kishte paraqitur qëndrimin e tij dhe kishte kërkuar hetim të thelluar e të paanshëm për situatën.
Veliaj vijon të jetë i paraburgosur për llogari të SPAK. Nuk është i dënuar, ku mund të thotë që do takojë për një intervistë një gazetar. SPAK ka mbajtur qëndrim strikt për të paraburgosurit dhe rezulton që SPAK nuk është njoftuar. Dhe sidomos, teksa ndodh ky diskutim i madh, shkon KSHH dhe gjen këto shkelje, Avokati i Popullit shkon natën, e takon Veliajn për të gjetur shkelje, raport që nuk ka dalë ende. Ne nuk kemi ende të njëjtën shpejtësi nga aspekti tjetër, nëse ka apo jo më e pakta një shpërdorim detyre, megjithëse burgjet janë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe mund të justifikohet që janë në varësinë time dhe çfarë bëri, i inspektoi apo takoi një mik. Një mik pse natën dhe tani çfarë ndodh? Megjithëse Veliaj i kishte dërguar gjatë natës deklaratë me shkrim në gjyqin e themelit dhe thoshte të gjithë qëndrimin dhe e vë në dijeni edhe gjykatën dhe thotë: kërkoj hetim të thelluar, të paanshëm për këtë situatë”, tha Hoxha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



