Gati ndryshimi i Euros, BQE zbulon modelet e reja të kartëmonedhave
Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt përditësimit të monedhës së përbashkët, duke prezantuar propozimet finale për dizajnin e ri të kartëmonedhave euro. Paralelisht me këtë proces, është hapur edhe një konsultim publik në nivel evropian, ku qytetarët ftohen të japin mendimet dhe preferencat e tyre deri më 21 shtator 2026.
Këto propozime janë përzgjedhur pas një gare të gjerë dizajni në të gjithë Bashkimin Evropian, ku mbi 1,200 ide nga dizajnerë grafikë u shqyrtuan në detaje. Ndërkohë, kartëmonedhat aktuale do të vijojnë të kenë vlefshmëri të plotë dhe do të qarkullojnë krahas serisë së re. Ky proces përbën ridizajnimin e parë të plotë të euros që nga hedhja e saj në treg në vitin 2002.
Dizajnet e propozuara sjellin në vëmendje figura të shquara të historisë dhe kulturës evropiane, si shkencëtarja Maria Skłodowska-Curie, kompozitori Ludwig van Beethoven dhe mjeshtri i artit Leonardo da Vinci. Në një linjë alternative, disa propozime fokusohen te natyra, duke përfshirë elementë si shpendët karakteristikë evropianë, ndër ta lejleku i bardhë dhe specie të tjera simbolike.
Përveç aspektit estetik, ndryshimet synojnë edhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së kartëmonedhave, duke reduktuar ndikimin e tyre në mjedis dhe duke rritur jetëgjatësinë në përdorim.
Prezantimi i këtyre propozimeve është bërë edhe në Kosovë, ku Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka inkurajuar qytetarët të bëhen pjesë e konsultimit publik. Ai theksoi rëndësinë e këtij procesi për vendin, duke qenë se euro përdoret si valutë zyrtare.
Sipas tij, edhe pse Kosova nuk është ende pjesë e Bashkimit Evropian apo eurozonës, procesi i integrimit po avancon përmes reformave të rëndësishme, përfshirë modernizimin e sistemeve të pagesave dhe përfshirjen në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
Pjesëmarrja në këtë konsultim nuk shërben vetëm për të ndikuar në përzgjedhjen e dizajnit të ri, por edhe për të rritur ndërgjegjësimin dhe edukimin financiar të qytetarëve në të gjithë rajonin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



