Qeveria riformaton ekipin negociator me BE-në, ja emrat e rinj
Qeveria shqiptare ka miratuar ndryshime në përbërjen e Grupit Negociator për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke rishpërndarë përgjegjësitë për disa prej kapitujve që lidhen me përafrimin e legjislacionit vendas me atë të BE-së.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, i propozuar nga ministri i Shtetit dhe Kryenegociatori, parashikon përfshirjen e emrave të rinj në procesin negociator, si dhe ndryshimin e detyrave për disa prej zëvendësministrave dhe drejtuesve të institucioneve të pavarura.
Një prej lëvizjeve kryesore lidhet me Kapitullin 22, që përfshin politikën rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturore. Përgjegjësia për këtë kapitull i kalon zëvendësministrit të Brendshëm, Oltjon Muzaka, i cili zëvendëson ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.
Ndryshime janë bërë edhe në grupin që mbulon çështjet ekonomike dhe financiare. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, merr përsipër edhe Kapitullin 6, që lidhet me të drejtën e shoqërive tregtare. Ai do të vijojë të jetë përgjegjës për Kapitullin 1 dhe bashkënegociator për kapitujt 28 dhe 30.
Në të njëjtën kohë, hiqet përcaktimi i mëparshëm që ngarkonte ish-zëvendësministren Blerta Rama me përgjegjësitë për kapitujt 4 dhe 6.
Në fushën financiare, zëvendësministri i Financave, Andi Memeti, zgjerohet në përgjegjësi, duke u caktuar bashkënegociator edhe për Kapitullin 4, që trajton lëvizjen e lirë të kapitalit. Ai do të vijojë të mbulojë edhe kapitujt 32 dhe 33.
Ndërsa zëvendësministrit të Financave, Endrit Yzeiraj, i shtohen dy fusha të tjera negociimi: Kapitulli 9, për shërbimet financiare, dhe Kapitulli 17, për politikën ekonomike dhe monetare. Krahas tyre, ai do të vijojë të mbulojë kriterin ekonomik dhe kapitujt 16 e 29.
Riorganizimi përfshin edhe përfaqësues të institucioneve të pavarura. Zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, caktohet bashkënegociatore për kapitujt 4 dhe 17. Ndërkohë, drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Adela Xhemali, ruan përgjegjësinë për Kapitullin 9.
Një tjetër ndryshim prek Kapitullin 8, që lidhet me politikën e konkurrencës. Për këtë fushë, kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, do të ndajë përgjegjësinë me zëvendësministrin e Ekonomisë dhe Inovacionit, Mario Keputa.
Në sektorin e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, zëvendësministrja Tana Kika do t’i bashkohet zëvendësministrit Arian Jaupllari si bashkënegociatore për Kapitullin 12.
Ndërsa në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes së konsumatorit, Denada Seferi do të vijojë të mbulojë Kapitullin 19, kurse zëvendësministrja Eugena Tomini caktohet bashkënegociatore për Kapitullin 28.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Grupi Negociator i Shqipërisë dhe institucionet përkatëse.
Ndryshimet vijnë në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit evropian, ku Shqipëria duhet të përmbushë detyrimet për përafrimin e legjislacionit, forcimin e institucioneve dhe zbatimin e standardeve të Bashkimit Evropian.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



