Gaz Bardhi replikon nga Amerika me Grida Dumën
Gaz Bardhi ka replikuar me sms me moderatoren e TOP STORY, Grida Duma. – Qenka lodhur shumë Grida sot. E gjithë dita e saj shkoi duke analizuar një dokument, me të ftuar që as e dinë çfarë flasin dhe as kuptojnë çfarë lexojnë. Thjesht recitojnë çfarë u kanë dhënë në letër. Ndërkohë, në emër të sensacionit të rremë, shfrytëzohet hapësira kombëtare mediatike për të ushqyer publikun me një gënjeshtër të pastër një “më thotë dikush” e servirur si të ishte provë.
Ajo që nuk u tha në studio është se reagimi zyrtar mbi këtë çështje është dhënë që në mëngjes, pas një keqinterpretimi identik nga një tjetër ekran televiziv. Por Grida dhe ekipi i saj në panel bënë sikur nuk e panë. Arsyeja është e thjeshtë: nuk i intereson e vërteta, por narrativi i gënjeshtër që u shkon për shtat.
E vërteta është krejt e kundërta e asaj që u shit me pompozitet në studio. Dokumenti zyrtar, i depozituar në Komisionin e Ekonomisë dhe i paraqitur sot në seancë, përmban versionin final të amendamentit, ku përcaktohet qartë se shoqëritë tregtare që shfrytëzojnë fushat naftëmbajtëse në Shqipëri përjashtohen automatikisht nga përfitimet e ligjit, pavarësisht nëse janë apo jo nën hetim. Pra, amendamenti pikërisht synon të mbyllë çdo derë për abuzim jo të hapë rrugë për favore, siç u inskenua live në transmetim.
Pavarësisht se faktet janë të shkruara bardhë e zi, në një dokument të firmosur dhe të depozituar zyrtarisht, Grida dhe paneli vazhduan për minuta të tëra si të kishin zbuluar Amerikën. Por tashmë kjo nuk është surprizë. Gënjeshtrat e saj në një TV kombëtar janë bërë rutinë; aq shpesh përsëriten sa e vetmja gjë që mbetet është të qeshësh me to me qesharakërinë e tyre dhe me bindjen naive se po barazojnë të tjerët me standardet e tyre të ulëta.
p.s. Falë distancës kohore, gënjeshtrat nga Shqipëria mbërrijnë me vonesë në SHBA. Por kur vijnë, të paktën sjellin humor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



