Gentian Likaj nën hetim për grup të strukturuar kriminal
Punon me ambasadat, duke qenë nën hetim nga SPAK-u
Biznesmeni i njohur në fushën e teknologjisë së informacionit, Gentian Likaj, po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në një nga hetimet më të ndjeshme të viteve të fundit, atë të tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Likaj është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në cilësinë e personit nën hetim, një zhvillim që konfirmon se ai nuk konsiderohet më thjesht një emër periferik në këtë dosje, por një figurë kyçe në skemën që po hetohet për korrupsion dhe organizim kriminal.
Sipas të dhënave hetimore, Gentian Likaj, përmes kompanisë së tij “Communication Progress”, dyshohet se ka qenë pjesë e një rrjeti të strukturuar kompanish që përfitonin tendera publikë përmes procedurave të manipuluara. Hetimet kanë ngritur dyshime se kriteret teknike në këto tendera hartoheshin në mënyrë të tillë që favorizonin paraprakisht subjekte të caktuara, duke eliminuar konkurrencën reale.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se roli i Likajt shkon përtej një operatori ekonomik përfitues. Ai dyshohet të ketë qenë pjesë aktive në mekanizmin e ndërtimit të kësaj skeme, ku fituesit përcaktoheshin që në fazën e hartimit të procedurave.
Një tjetër element që rëndon pozicionin e tij në këtë dosje është lidhja familjare me një nga figurat qendrore të hetimit, Ermal Beqiri, aktualisht në kërkim. Kjo lidhje, sipas hetuesve, ka ndikuar në krijimin e një rrjeti të koordinuar kompanish që operonin në të njëjtën skemë përfitimi.
Sipas materialeve të administruara nga SPAK, fondet e përfituara nga tenderat publikë dyshohet se ricikloheshin më pas përmes faturave fiktive dhe shërbimeve të pa kryera realisht. Kjo skemë shërbente për të nxjerrë para në qarkullim cash dhe për t’i shpërndarë brenda rrjetit, duke fshehur gjurmët e përfitimit.
Megjithatë, ajo që ngre pikëpyetje të forta është fakti se kompania e Likajt ka vijuar të përfitojë fonde publike edhe gjatë kohës që ai është nën hetim. Vetëm gjatë muajit maj 2026, “Communication Progress” ka marrë mbi 13 milionë lekë nga AKSHI, ndërsa pagesa të tjera janë ekzekutuar vetëm pak ditë përpara paraqitjes së tij në SPAK.
Ky zhvillim ka shtuar dyshimet mbi vijimësinë e kontratave publike me subjekte që janë objekt hetimi për korrupsion dhe përfshirje në strukturë të organizuar kriminale.
Paralelisht, në të njëjtën dosje përmenden edhe emra të tjerë, përfshirë ish-drejtues të AKSHI-t dhe bashkëpunëtorë të dyshuar, ndërsa hetimet janë zgjeruar ndjeshëm nga prokurorët e çështjes. Sekuestrimet e pasurive me vlerë dhjetëra milionë euro tregojnë përmasën e skemës që dyshohet të ketë funksionuar për vite me radhë.
Biznesmeni Gentian Likaj shfaqet si një nga hallkat kryesore që po analizohet nga SPAK për të zbërthyer mekanizmin e plotë të aferës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



