E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skandali AKSHI, “kunati” i Ermal Beqirit merr ende para nga AKSHI
Lajme

Skandali AKSHI, “kunati” i Ermal Beqirit merr ende para nga AKSHI

Gentian Likaj në hetim nga SPAK, por pagesat milionëshe vazhdojnë

Biznesmeni Gentian Likaj, pronar i kompanisë “Communication Progress”, u paraqit këtë të mërkurë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në kuadër të hetimeve për dosjen e madhe të AKSHI-t, ku ai rezulton një nga personat në qendër të saj.

Sipas hetimeve, Likaj nuk konsiderohet një emër periferik, por një figurë e lidhur ngushtë me skemën e dyshuar, përfshirë edhe raportin familjar si kunat i Ermal Beqirit, një prej personave kyç të dosjes, i cili vijon të jetë në kërkim.

Prokuroria po e heton çështjen në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që dyshohet se ka orientuar tenderat publikë të AKSHI-t drejt kompanive të lidhura, duke kufizuar konkurrencën dhe duke krijuar përfitime të paligjshme nga fondet publike.

Kompania e Likajt, “Communication Progress”, përmendet si një nga subjektet që dyshohet se ka përfituar nga kjo skemë përmes procedurave të manipuluara dhe kritereve të paracaktuara, ndërsa një pjesë e fondeve dyshohet se ricikloheshin përmes faturave fiktive apo shërbimeve të sajuara.

Megjithatë, ndërkohë që ai është nën hetim, të dhënat zyrtare tregojnë se kompania e tij ka vijuar të marrë pagesa nga AKSHI edhe gjatë muajit maj 2026. Sipas sistemit të Thesarit, “Communication Progress” ka përfituar rreth 13.6 milionë lekë për shërbime teknologjike dhe mirëmbajtje sistemesh.

Pagesa më e fundit është ekzekutuar më 13 maj 2026, vetëm pak ditë përpara paraqitjes së Likajt në SPAK, në vlerën 324 mijë lekë, për ngritjen e një sistemi menaxhimi informacioni për startup-et dhe lehtësuesit.

Ky fakt ngre pikëpyetje mbi vijimin e pagesave publike ndaj një kompanie, pronari i së cilës është nën hetim për korrupsion dhe përfshirje në strukturë të organizuar kriminale.

Në këtë dosje, SPAK ka ngritur dyshime për korrupsion, manipulim tenderash dhe riciklim fondesh, ndërsa në kërkim vijojnë të jenë edhe Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Ndërkohë, ish-drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është nën masën “detyrim paraqitje”.

Në fund të muajit prill, Prokuroria e Posaçme sekuestroi 52 prona, llogari bankare dhe pasuri të tjera me vlerë rreth 40 milionë euro, të dyshuara si të lidhura me këtë skemë.

Sipas hetimeve, nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar korrupsioni, por për një mekanizëm të organizuar që synonte kontrollin e tenderave publikë në fushën e teknologjisë, ku përfshiheshin zyrtarë, ish-zyrtarë dhe kompani të lidhura mes tyre.

Megjithatë, deri në një vendim të formës së prerë, Gentian Likaj gëzon prezumimin e pafajësisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.