E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjashtë kontraste problematike me ftesën e Ramës për drejtësinë
OP-ED

Gjashtë kontraste problematike me ftesën e Ramës për drejtësinë

Afrim Krasniqi

Një ftesa e çuditshme, unike dhe natyrisht edhe me përmbajtje dhe natyrë të kundërt me konceptet e shtetit të së drejtës, demokracisë funksionale dhe praktikave që zbatohen në vendet e BE, ku pushteti na thotë se do jemi në vitin 2029! Kryeministria fton drejtësinë për konsultim për të të drejtat e drejtësisë?! Kryeministri vijon të jetë besnik i formulës së vet: injorim ligji, fushatë denigruese ndaj Tjetrit, censurë ose presion institucional dhe në fund, ftesë për diskutim dhe zgjidhje minimaliste. E bëri me akademinë dhe (me ndihmën e PSD-së) funksionoi, e bëri me studentët dhe me ndihmën e rektorëve funksionoi, e bëri me minatorët, me të përndjekurit, ndërtuesit, fasonët, me grupet e ndryshme sociale protestuese dhe pothuajse gjithnjë funksionoi. Nuk funksionoi (ende) me protestën që vijon prej muajsh. Testi i radhës? Sistemi i drejtësisë, madje edhe SPAK edhe GJKKO. Kryeministria ka ndarë në media ftesën për drejtësinë për konsultime mbi buxhetin dhe pagat e tyre.

Ftesa, akti, lista e institucioneve, tematika dhe formula janë në vetvete provokative dhe paraqesin së paku 6 probleme të rëndësishme:

Së pari: Gjykata Kushtetuese mori një vendim, Kuvendi dhe qeveria ishin të detyruar ta zbatojnë, por ato refuzuan ta bëjnë. Këtu nisi kriza, e cila më pas u shndërrua në betejë ligjore (nga sistemi I drejtësisë) dhe fushatë politike denigruese (nga ekzekutivi).
Së dyti, piramida e pagave rregullohet me ligj të veçantë (Kuvendi) dhe buxheti i institucioneve të drejtësisë miratohet në Kuvend jo në qeveri. Qeveria është zbatuese e vendimeve të Kuvendit, jo negaciatore e një funksioni klasik parlamentar.

Së treti, Kuvendi ka krijuar një komision të posaçëm që trajton problematikat e raportimeve vjetore dhe ecurinë edhe të reformës në drejtësi, punën e institucioneve dhe procesin mbikëqyrës parlamentar. Kuvendi ka gjithashtu një komision për ligjet dhe një tjetër për çështjet e buxhetit/financave. Nëse edhe këto funksione i merr dhe i negocion qeveria, atëherë për çfarë duhen komisionet dhe Kuvendi?

Së katërti, disa ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë ish zv/kryeministrja është në proces hetimi dhe gjykimi nga SPAK dhe GJKKO. Qeveria që refuzoi heqjen e imunitetit dhe denigroi gjykatën e prokurorinë tani e fton në dialog e mirëkuptim për çështje parash, një konflikt tjetër i dukshëm interesi dhe presion ndaj tyre.

Së pesti, disa nga drejtuesit e institucioneve të drejtësisë të ftuara në takim konsultimi janë në proces gjyqësor me qeverinë për të njëjtën çështje debati, madje kanë kërkuar penalizim të ministrit të financave, i cili është pjesë e kabinetit ekzekutiv. Konsultimi në këtë rast ftohet midis dy palëve në konflikt interesi, por edhe në konflikt gjyqësor.

Së fundi, por me rëndësi, – institucionet e drejtësisë janë të pavarura dhe koncepti i pavarësisë lidhet pikërisht me qeverinë dhe kryeministrin. Një sistem drejtësie që negocion parimet, standardet dhe të drejtat kushtetuese me qeverinë nuk mund të jetë i pavarur dhe në thelb nuk dallon nga agjencitë ligjzbatuese ekzekutive.

Natyrisht secili institucion i ftuar do të zgjedh vetë nëse do të marrë pjesë ose nëse do të rishprehë opinione me shkrim në rrugë institucionale, por është e mbetet e qartë se ftesa, objekti i debatit, negociata dhe akti politik i qeverisë vjen dukshëm në kontrast të thellë me konceptet e ndarjes dhe balancës së pushteteve dhe përbën një zhvillim negativ për integritetin dhe besimin publik te drejtësia. Një mesazh që pranuesit e mundshëm të ftesës duhet ta marrin në konsideratë edhe personalisht.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.