Gjermania tregon ‘dhëmbët’, thirrje për krijimin e bombës atomike europiane
Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer, ka hedhur në tryezë një ide që pritet të ndezë debat të fortë në Europë; krijimin e një kapaciteti të përbashkët bërthamor europian. Sipas tij, kontinenti nuk mund të mbështetet më tek arkitektura aktuale e sigurisë dhe duhet të marrë përgjegjësi direkte për mbrojtjen e vet.
Në një intervistë për gazetën gjermane Tagesspiegel, Fischer deklaroi se garancitë tradicionale të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara nuk janë më të qëndrueshme dhe se Europa duhet të rishikojë urgjentisht strategjinë e saj mbrojtëse. Ai nënvizoi se Gjermania ka një rol udhëheqës në këtë proces, por vetëm në bashkëpunim të plotë me partnerët europianë.
Sipas Fischer, nuk bëhet fjalë për zhvillimin e një arme bërthamore kombëtare gjermane, por për një kapacitet të përbashkët të Bashkimit Europian, që do të shërbente si mekanizëm parandalues në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm dhe të paparashikueshëm.
Ish-kryediplomati gjerman u shpreh se realiteti aktual e ka ndryshuar rrënjësisht qasjen e tij personale ndaj sigurisë. Ai deklaroi se, po të ishte i ri sot, do të ishte gati t’i bashkohej forcave të armatosura, duke argumentuar se Europa ndodhet përballë kërcënimeve reale dhe duhet të jetë e përgatitur të mbrohet.
Fischer theksoi se epoka e çarmatimit si strategji e vetme ka marrë fund dhe se forcimi ushtarak është kthyer në një domosdoshmëri. Sipas tij, vetëm përmes fuqisë dhe parandalimit efektiv mund të shmanget një sulm i mundshëm, veçanërisht nga aktorë që shfaqin prirje agresive në kufijtë e Europës.
Ai pranoi se këto qëndrime përfaqësojnë një kthesë të fortë krahasuar me gjithë karrierën e tij politike, e cila historikisht ka qenë e orientuar drejt pacifizmit dhe çarmatimit. Megjithatë, Fischer theksoi se rrethanat aktuale e kanë bërë të pashmangshëm këtë ndryshim mendësie.
Propozimi i tij vjen në një moment kur debati mbi autonominë strategjike të Bashkimit Europian, rolin e NATO-s dhe aftësinë e kontinentit për të garantuar vetë sigurinë e tij është intensifikuar ndjeshëm, në një klimë globale të mbushur me tensione dhe pasiguri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



