Gjobë 5 mln euro apo luftë për pronën? Dy versionet e përplasjes në Vlorë
Përplasja mes dy biznesmenëve, Luan Muça, i kompanisë Delta Group, dhe Vasil Bedinaj, pronar i rrjetit të hoteleve Regina në Vlorë, ka nxjerrë në pah dy versione të ndryshme sa i përket motivit të konfliktit.
Në njërën anë qëndron pretendimi se bëhet fjalë për një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe kërcënime për largim nga Shqipëria, ndërsa në anën tjetër ngrihet pista e një konflikti të hershëm për pronësinë e një pasurie në zonën bregdetare të Palasës.
Luan Muça është arrestuar nga policia, së bashku me disa persona të tjerë, nën dyshimet për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në pranga kanë përfunduar edhe vëllezërit Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, dhe Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, të cilët punojnë në kompaninë private të sigurisë “Swat Security” dhe dyshohet se ishin pjesë e shoqërimit të Muçës.
Policia ka arrestuar gjithashtu Blerim Hetën, 40 vjeç, shtetas kosovar, i cili dyshohet se ishte pjesë e grupit të Muçës, ndërsa në pranga ka rënë edhe Angjelo Breshani, 29 vjeç, shoqërues i Vasil Bedinajt.
Breshani dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të grupit kundërshtar, ndërsa hetuesit dyshojnë se nga të shtënat mund të jetë plagosur një person. Deri në këto momente, personi që dyshohet se ka mbetur i dëmtuar nuk është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në spitalet publike apo private.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim gjashtë persona, mes të cilëve edhe Bujar Muça, ish-deputet i PDIU-së, i cili e la mandatin pak kohë pasi ishte zgjedhur. Në kërkim janë shpallur gjithashtu katër automjete që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen.
Si nisi përplasja në Radhimë?
Ngjarja është regjistruar rreth orës 11:30, pasi Vasil Bedinaj ka njoftuar policinë se në ambientet e hotelit të tij në Radhimë ishte dhunuar dhe kërcënuar nga disa persona të armatosur.
Sipas të dhënave të hetimit, disa automjete luksoze janë afruar pranë hotelit. Nga një prej makinave ka zbritur Luan Muça, i shoqëruar nga persona që punonin për sigurinë e tij.
Muça dhe Bedinaj janë ulur për të diskutuar, ndërsa në takim kanë qenë edhe persona të tjerë. Dy biznesmenët, sipas burimeve të hetimit, nuk përballeshin për herë të parë. Në qendër të mosmarrëveshjeve të tyre dyshohet se qëndron një pronë në zonën e Palasës.
Situata është përshkallëzuar gjatë takimit, kur punonjësit e kompanive private të sigurisë që shoqëronin dy biznesmenët janë përfshirë në një përplasje fizike.
Pas tensionimit të situatës, Muça është larguar me automjetin e tij, së bashku me vëllezërit Klaudio dhe Mandrit Lleshaj.
Por konflikti nuk është mbyllur me largimin e tyre.
Të shtënat me armë pas largimit të grupit të Muçës
Pas largimit të automjetit ku ndodhej Muça, Angjelo Breshani ka marrë armën e zjarrit që e posedonte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të grupit kundërshtar.
Hetuesit dyshojnë se nga të shtënat mund të jetë plagosur një person, por deri tani nuk ka një person të identifikuar që të jetë paraqitur për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, policia kishte nisur ndjekjen e automjetit të sinjalizuar nga Bedinaj.
Rreth orës 12:00, në pikën e kontrollit në Rrethin e Alikokës, një Range Rover i zi nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar dhe ka vijuar në drejtim të fshatit Peshkëpi.
Gjatë ndjekjes, automjeti ka dalë nga rruga në zonën e Urës së Peshkëpisë dhe ka përplasur barrierat mbrojtëse.
Në mjet ndodheshin Luan Muça dhe vëllezërit Klaudio e Mandrit Lleshaj. Si pasojë e aksidentit, Muça dhe Mandrit Lleshaj kanë pësuar dëmtime dhe janë dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodheshin jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur edhe një pistoletë dhe një karikator me 16 fishekë luftarakë.
Një tjetër automjet kapet në Fier
Rreth orës 13:00, një tjetër automjet i shpallur në kërkim është ndaluar nga shërbimet e Policisë së Fierit, në zonën e Mbikalimit të Memorialit.
Në drejtimin e tij ndodhej shtetasi kosovar Blerim Heta.
Gjatë kontrollit të automjetit janë konstatuar dëmtime në xhamin e pjesës së pasagjerit, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga të shtënat me armë. Brenda mjetit janë gjetur edhe tre fishekë pistolete.
Më vonë, rreth orës 16:30, në bypass-in e Vlorës, pranë fshatit Kaninë, është konstatuar duke u djegur një Audi A8, i cili dyshohet se është përdorur nga persona të përfshirë në ngjarje.
Dy versionet për motivin e konfliktit
Për policinë, një prej pistave kryesore të hetimit lidhet me pretendimin se Luan Muça dhe persona të tjerë kanë shkuar në hotelin e Vasil Bedinajt për t’i kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh.
Sipas këtij versioni, Bedinaj është kërcënuar që të largohej nga Shqipëria brenda 48 orësh.
Por Luan Muça e kundërshton këtë version dhe mohon që përplasja të ketë pasur si shkak një gjobëvënie.
Sipas pretendimeve të tij, konflikti me Bedinajn ka nisur prej rreth dy vitesh dhe lidhet me një çështje pronësie në zonën bregdetare të Palasës.
Kompania Delta, e drejtuar nga Muça, rezulton përfituese e statusit të investitorit strategjik për fazën e parë të projektit “Delta Falaise Resort & Village”, një projekt turistik i parashikuar në territorin mes Palasës dhe Dhërmiut, ku planifikohet ndërtimi i hoteleve dhe vilave.
Muça pretendon se prona është blerë prej tij, por më pas janë shfaqur pretendime të tjera mbi pronësinë. Sipas versionit të tij, për të shmangur konfliktet dhe për të zgjidhur problemin, është detyruar të paguajë sërish për të njëjtën pasuri.
Ai pretendon gjithashtu se Bedinaj ka kërkuar një përqindje të pronës, duke argumentuar se ka të drejta mbi të.
Dy biznesmenët janë takuar për të diskutuar mosmarrëveshjen, ndërsa Muça pretendon se Bedinaj ka shkuar edhe në pronën në fjalë. Biznesmeni ka bërë gjithashtu kallëzim ndaj tij, duke pretenduar përpjekje për marrjen e pronës përmes falsifikimit.
Në këtë fazë, të dyja versionet janë pjesë e hetimit dhe nuk përbëjnë përfundime gjyqësore. Autoritetet pritet të përcaktojnë nëse përplasja lidhet me pretendimet për gjobëvënie apo me konfliktin e pronësisë në Palasë.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje edhe problematikën e konflikteve të pronësisë në zonat bregdetare, veçanërisht kur pasuritë me vlerë të lartë përfshihen në mosmarrëveshje mes palëve. Hetimi do të duhet të sqarojë jo vetëm dinamikën e përplasjes së armatosur, por edhe motivin që qëndron pas saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



