E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjykata belge fundos bandën shqiptare, konfiskohen 3.1 mln € pasuri
Bota

Gjykata belge fundos bandën shqiptare, konfiskohen 3.1 mln € pasuri

Një grup kriminal shqiptar që operonte në jug të qytetit të Antwerp-it në Belgjikë është dënuar nga gjykata me burgime deri në gjashtë vite, pasi u shpall fajtor për trafik ndërkombëtar droge.

Sipas mediave belge, hetimet zbuluan se organizata kriminale kishte trafikuar rreth 191 kilogramë kanabis dhe afro 7 tonë kokainë. Përveç dënimeve me burg, gjykata vendosi edhe konfiskimin e pasurive me vlerë mbi 3.1 milionë euro, të konsideruara si të ardhura të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Hetimi ndaj grupit nisi më 23 shkurt 2024, pasi policia e Antwerp-it mori informacione se një automjet tip BMW me targa rumune dyshohej se përdorej për transportin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Në të njëjtin informacion përmendeshin edhe dy adresa në rrugët Lambermontstraat dhe Geuzenstraat, në Antwerp.

Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët zbuluan një furrë me mikrovalë të modifikuar, ku ishin fshehur më shumë se 2.2 kilogramë kokainë. Sipas hetuesve, pajisja përdorej si një mënyrë e sofistikuar për fshehjen dhe transportimin e drogës.

Pas këtij zbulimi, autoritetet belge nisën monitorimin e shtatë ambienteve të dyshuara: pesë në Antwerp, një në Brasschaat dhe një tjetër në Linter, në provincën e Brabantit Flamand.

Gjatë vëzhgimeve operative u identifikuan tetë persona të dyshuar, të cilët u panë disa herë duke transportuar kuti dhe thasë me substanca kimike, që dyshohej se përdoreshin në procesin e përpunimit të kokainës.

Në një objekt në rrugën Geuzenstraat, policia gjeti gjashtë qese mbeturinash që përmbanin rreth 50 bidonë bosh të produkteve kimike të përdorura për larjen, pastrimin dhe përpunimin e kokainës. Hetuesit dyshojnë se aty funksiononte një pikë e rëndësishme e aktivitetit kriminal.

Më 5 shtator 2024, pas disa muajsh hetime, policia zhvilloi kontrolle në disa banesa dhe ambiente të lidhura me grupin. Në Geuzenstraat dhe në Linter u zbuluan dy laboratorë droge, ku kokaina përpunohej dhe pastrohej deri në formën përfundimtare.

Gjatë operacionit u sekuestruan mbi 1.400 litra substanca kimike, 10 kilogramë kokainë, 23 kilogramë kanabis, pajisje për numërimin e parave, telefona celularë dhe dokumente financiare të organizatës.

Sipas dokumentacionit të sekuestruar, grupi kriminal kishte trafikuar rreth 191 kilogramë kanabis dhe afro 7 tonë kokainë, me një vlerë të përllogaritur të aktivitetit prej rreth 147 milionë eurosh.

Edhe pse të gjithë të pandehurit mohuan akuzat dhe kërkuan pafajësi, gjykata në fund të muajit qershor vendosi dënime që variojnë nga 40 muaj deri në gjashtë vite burg. Krahas dënimeve penale, u vendos edhe konfiskimi i mbi 3.1 milionë eurove pasuri të lidhura me veprimtarinë kriminale.

Dënimin maksimal prej gjashtë vitesh burg e mori Arbri C., 35 vjeç, i konsideruar nga gjykata si një prej personave që drejtonte organizatën. Sipas vendimit, ai menaxhonte kontaktet, mbikëqyrte ambientet e përdorura nga grupi dhe koordinonte aktivitetin, megjithëse merrte udhëzime nga persona të tjerë në nivele më të larta.

Përveç burgimit, Arbri C. u dënua edhe me 48 mijë euro gjobë.

Ndërkohë, Arban D., 33 vjeç, i cili sipas hetimeve mbulonte shumicën e kontratave të qirasë për ambientet e përdorura nga organizata, u dënua me pesë vite burg dhe 40 mijë euro gjobë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.