Ergys Agasi dhe Orest Sota “ribashkohen” në burgun e Bradasheshit
Nga miq dhe ortakë biznesi jashtë burgut, tashmë në të njëjtën qeli. Ergys Agasi dhe Orest Sota, dy emra që njiheshin dhe kishin bashkëpunuar në biznes përpara problemeve me drejtësinë, janë vendosur së bashku në burgun e Bradasheshit.
Burime të ‘MaShqip’ bëjnë me dije se në të njëjtën qeli me Agasin dhe Sotën ndodhen edhe Orgest Birçaj dhe Bruno Çoba, duke bërë bashkë katër persona të përfshirë në hetime të Prokurorisë së Posaçme.
Por qëndrimi i tyre së bashku nuk do të thotë se lëvizjet kalojnë pa kontroll. Sipas të njëjtave burime, të katër mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm nga punonjësit e burgut dhe sistemi i kamerave të sigurisë. Kamerat e Bradasheshit kanë marrë një rëndësi të veçantë edhe për SPAK, ndërsa, sipas informacioneve të siguruara nga “MaShqip”, pamjet e sigurisë janë sekuestruar herë pas here pa paralajmërim nga BKH-ja.
Pjesa më interesante e bashkëjetesës në qeli është marrëdhënia mes Ergys Agasit dhe Orest Sotës. Ata nuk janë njohur në burg. Vetë Sota ka treguar gjatë dëshmisë së tij në SPAK se me Agasin ishte njohur në fund të vitit 2021 ose fillim të vitit 2022 dhe se më pas kishin krijuar shoqëri. Sota rezulton gjithashtu ish-ortak në kompaninë “Equos”, të lidhur me Agasin.
Në dëshminë e tij, Sota ka folur edhe për perceptimin që kishte për fuqinë e Agasit në treg dhe lidhjet e tij me pushtetin. Agasi, nga ana tjetër, ndodhet në paraburgim në kuadër të hetimeve të SPAK që lidhen me dosjen e AKSHI-t dhe dyshimet për korrupsion dhe skemën e përfitimit të fondeve publike.
Orest Sota
Sota u arrestua në qershor 2026 në kuadër të një operacioni të SPAK kundër dy grupeve të dyshuara për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. SPAK thotë se procedimi përfshin veprat e trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe grupit të strukturuar kriminal. Për Sotën GJKKO caktoi masën “arrest në burg”. Dosja lidhet me një rrjet që, sipas SPAK, dyshohet se ka trafikuar rreth 6.7 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.
Orgest Birçaj
Në të njëjtën qeli ndodhet, sipas burimeve të “MaShqip”, edhe biznesmeni Orgest Birçaj, emër i lidhur me kompaninë e makinave luksoze “Top Seven”. Edhe Birçaj u arrestua në operacionin e qershorit. SPAK e përfshin në të njëjtin procedim për trafik narkotikësh, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal, ndërsa GJKKO la ndaj tij masën “arrest në burg”. Në materialet e dosjes dyshohet se Birçaj, përmes agjencisë “Top Seven”, kishte dërguar persona drejt Ekuadorit, të cilët dyshohet se do të punonin në laboratorë të përpunimit të kokainës.
Bruno Çoba, i katërti në qeli
I katërti, sipas informacioneve të “MaShqip”, është Bruno Çoba, një tjetër person nën hetim nga SPAK, emri i të cilit lidhet me dosje të sektorit të call center-ave, ku hetimet kanë ngritur dyshime për skema mashtrimi dhe aktivitet financiar të paligjshëm.
Kështu, brenda një dhome në burgun e Bradasheshit janë bashkuar tashmë katër emra të dosjeve të SPAK. Dy prej tyre, Agasi dhe Sota, nuk janë thjesht njohje të rastësishme: kanë pasur miqësi dhe lidhje biznesi shumë kohë përpara se rrugët e tyre të bashkoheshin përsëri, këtë herë pas hekurave./MaShqip
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



