Gjykata e Lartë prish sekuestron e pasurive të Arben Ahmetajt
Çështja rikthehet për rigjykim
Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin për sekuestrimin e pasurive të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke urdhëruar rikthimin e çështjes për rigjykim në Apelin e Posaçëm.
Vendimi është marrë këtë të enjte nga gjyqtari Gent Shala, i cili ka rrëzuar vendimin e mëparshëm të dhënë nga gjyqtari Dhimitër Lara. Në fokus të çështjes janë tre pasuri të Ahmetajt, për të cilat ishte vendosur masa e sekuestrimit.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, shqyrtimi i çështjes duhet të kryhet nga një trup tjetër gjykues në Apelin e Posaçëm, duke hapur rrugën për një rivlerësim të plotë të provave dhe rrethanave.
Me këtë zhvillim, dosja rikthehet për shqyrtim nga Apeli i Posaçëm, i cili do të duhet të vendosë sërish mbi kërkesën për sekuestrimin e pasurive, në përputhje me udhëzimet dhe arsyetimin e dhënë nga Gjykata e Lartë.
Ky vendim përbën një hap të rëndësishëm procedural në procesin gjyqësor ndaj ish-zyrtarit të lartë, ndërsa pritet që vendimmarrja e re të përcaktojë fatin e pasurive në fjalë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



