Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK, shqiptarët me sytë nga Haga
Vëmendja e shqiptarëve është përqendruar këtë të mërkurë në Hagë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur pranë selisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës, në pritje të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pranë godinës së Gjykatës Speciale janë grumbulluar qytetarë nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare, të cilët kanë udhëtuar drejt Holandës për të qenë të pranishëm në ditën kur pritet vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së është zhvilluar për disa vite në Hagë dhe ka hyrë tashmë në një nga momentet më të rëndësishme të tij. Përpara selisë së Dhomave të Specializuara janë parë edhe flamuj të UÇK-së, ndërsa prania e qytetarëve është shtuar në orët para shpalljes së vendimit.
Pritje në Hagë dhe mobilizim në Kosovë
Mbështetësit e katër ish-drejtuesve të UÇK-së janë mbledhur pranë Gjykatës Speciale, ndërsa në Kosovë vijojnë aktivitetet në kuadër të pritjes së aktgjykimit.
Në Prishtinë është zhvilluar aktiviteti “Flaka e Lirisë”, ndërsa në shesh janë vendosur portretet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Çështja gjyqësore ndaj tyre lidhet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm gjatë procesit.
Mbrojtja e tyre ka kërkuar pafajësinë dhe lirimin e të akuzuarve, ndërsa tashmë pritet që trupi gjykues të shpallë vendimin e shkallës së parë.
Aktgjykimi që pritet të publikohet sot nuk përbën domosdoshmërisht përfundimin e procesit gjyqësor. Palët kanë të drejtë të apelojnë vendimin, çka do të mund ta çojë çështjen për shqyrtim në një tjetër shkallë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Prandaj, dita e sotme në Hagë shihet si një moment kyç për procesin ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, ndërsa qytetarët e mbledhur pranë Gjykatës presin shpalljen e aktgjykimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



