E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjyqtani Flamur Kapllani përjashtohet nga procesi kundër mediave
Lajme

Gjyqtani Flamur Kapllani përjashtohet nga procesi kundër mediave

Kërkoi që “bossit” te MegaTek t’i jepeshin 680 mijë euro

Gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Manjola Xhaxho, ka vendosur këtë të mërkurë përjashtimin e kryetarit të kësaj gjykate, Flamur Kapllani, nga një proces gjyqësor i konsideruar i pazakontë, i ngritur ndaj disa mediave.

Vendimi lidhet me një çështje ku, me kërkesë të biznesmenit Dionis Teqja, disa subjekte mediatike ishin përballur me një kërkesë për dëmshpërblim në vlerën totale prej 680 mijë eurosh.

Vendimi i gjyqtares Xhaxho rikthen vëmendjen te nevoja për respektimin e standardeve të lirisë së medias dhe praktikës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, pasi sipas pretendimeve të ngritura nga palët e paditura, në fazën fillestare të procesit nuk ishin kryer verifikime të plota përpara se një artikull që lidhej me biznesmenin Dionis Teqja të cilësohej si “i rremë” dhe mediave t’u kërkohej dëmshpërblim.

Me vendimin e sotëm, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur të largojë nga shqyrtimi i çështjes gjyqtarin Flamur Kapllani, i cili më herët kishte marrë një vendim për “sigurimin e padisë”. Përjashtimi i tij e rikthen procesin në një fazë të re shqyrtimi, me synimin që çështja të trajtohet sipas procedurave ligjore.

Si nisi përplasja gjyqësore?

Në prill të vitit 2026, biznesmeni Dionis Teqja iu drejtua Gjykatës së Tiranës me një kërkesëpadi ndaj disa mediave, duke pretenduar se në portale të ndryshme ishin publikuar materiale që cenonin figurën dhe reputacionin e tij.

Në kërkesën e tij, Teqja kërkoi një dëmshpërblim prej 500 mijë eurosh ndaj gazetarit Arsen Rusta, në cilësinë e administratorit të Weblajm.com, ndërsa për mediat e tjera të paditura kërkoi nga 20 mijë euro për secilën.

Në total, vlera e kërkesës për dëmshpërblim arrinte në 680 mijë euro.

Përveç kompensimit financiar, paditësi kërkoi edhe vendosjen e masave të sigurimit, duke kërkuar bllokimin e aksesit publik ndaj materialeve të publikuara.

Sipas pretendimeve të bëra publike, gjykata vendosi për masën e sigurimit vetëm katër ditë pas depozitimit të kërkesëpadisë, në dhomë këshillimi dhe pa praninë e palëve të tjera në proces.

Kjo shpejtësi e procedurës ka qenë një nga pikat kryesore të debatit rreth kësaj çështjeje, ndërsa kritikët e vendimit kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e trajtimit të një procesi që prek drejtpërdrejt raportin mes drejtësisë dhe medias.

Në këtë kontekst, është ngritur edhe çështja e profilit profesional të gjyqtarit Flamur Kapllani, për të cilin është bërë publike se studimet juridike i ka përfunduar në vitin 1997 me korrespondencë. Një periudhë kur Shqipëria po kalonte një nga momentet më të vështira sociale dhe politike, pas trazirave të mëdha civile të atij viti.

Tashmë pyetja që mbetet për t’u sqaruar gjatë procesit gjyqësor është nëse kemi të bëjmë thjesht me një konflikt ligjor mes një biznesmeni dhe disa mediave, apo nëse kjo çështje ka elementë më të gjerë që lidhen me presionin ndaj fjalës së lirë dhe medias.

Procesi pritet të shihet edhe si një rast me interes për diskutimin akademik mbi kufijtë mes mbrojtjes së reputacionit, të drejtës për informim dhe standardeve të lirisë së shprehjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.