Goditet grupi kriminal shqiptaro-grek në Athinë, 9 të arrestuar
Një operacion i gjerë i autoriteteve greke ka çuar në goditjen e një organizate kriminale të përfshirë në trafikun e kokainës në Athinë, ku pjesë e saj ishin shtetas shqiptarë dhe grekë.
Sipas burimeve zyrtare, grupi përbëhej nga 15 persona, konkretisht 11 shqiptarë dhe 4 grekë, të cilët kishin ndërtuar një rrjet të mirëorganizuar për shpërndarjen e lëndëve narkotike, kryesisht në kryeqytetin grek. Gjatë ndërhyrjes policore në disa banesa dhe ambiente të përdorura si baza operative, u arrestuan 9 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Operacioni u realizua nga strukturat e specializuara të hetimit të krimit në Athinë, në bashkëpunim me njësitë speciale, pas një hetimi të thelluar që zbuloi mënyrën e funksionimit të organizatës.
Në mesin e të arrestuarve janë disa shtetas shqiptarë të identifikuar me emra dhe pseudonime të ndryshme, ndërsa autoritetet vijojnë punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Hetimet paraprake kanë nxjerrë në pah se organizata funksiononte me një strukturë të mirëpërcaktuar hierarkike, me një drejtues kryesor dhe tre zëvendës të tij, të cilët koordinonin aktivitetin kriminal dhe shpërndarjen e drogës. Grupi dyshohet se ishte aktiv që prej fundit të vitit 2025 dhe kishte marrë masa të avancuara për të shmangur zbulimin nga autoritetet.
Anëtarët përdornin aplikacione komunikimi të koduara, terminologji të fshehtë dhe ndryshonin shpesh numrat e telefonit për të mos u identifikuar. Ndërkohë, drejtuesi kryesor ushtronte kontroll të plotë mbi operacionet, duke dhënë urdhra dhe përcaktuar strategjinë e trafikimit.
Gjatë kontrolleve në ambientet e përdorura nga grupi, policia sekuestroi një sasi prej 827 gramësh kokainë, një sasi të vogël kanabisi, tre armë zjarri, municion luftarak, pajisje komunikimi, peshore precize dhe mjete të tjera të përdorura në aktivitetin kriminal.
Gjithashtu, u sekuestruan pesë automjete të dyshuara për transport droge, si dhe shuma monetare prej mbi 14 mijë euro dhe dollarë amerikanë. Sipas hetimeve, fitimet e paligjshme të organizatës dyshohet se kalojnë vlerën e 900 mijë eurove.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht aktivitetin kriminal dhe për të çuar përpara procedurat ligjore ndaj të gjithë personave të përfshirë në këtë rrjet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



