Goditi me grusht një qytetarin, Hita pezullon nga detyra efektivin
Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra një efektiv të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pasi në rrjetet sociale u publikua një video ku ai shfaqet duke goditur me grusht një qytetar të shoqëruar gjatë tubimit të zhvilluar sot në Rrugën e Durrësit, në Tiranë.
Sipas reagimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues Madhor Skender Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të inspektorit J. H., pjesë e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Krahas masës së pezullimit, Drejtoria e Standardeve Profesionale është ngarkuar me nisjen e një hetimi disiplinor ndaj efektivit. Hetimi do të fokusohet te mënyra e përdorimit të forcës dhe nëse veprimet e policit kanë qenë në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.
Policia e Shtetit e ka cilësuar përdorimin e paligjshëm dhe të pajustifikuar të forcës si shkelje që cenon rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin dhe shërbimin policor.
Në reagimin e saj, Policia thekson se nuk do të tolerojë shkelje të ligjit apo të standardeve profesionale nga efektivët dhe se do të vijojë të marrë masa ndaj çdo punonjësi që konstatohen se ka vepruar në kundërshtim me detyrën.
Reagimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit:
Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje ku shfaqet një punonjës policie, i cili godet me grusht një shtetas të shoqëruar gjatë tubimit të sotëm në Rrugën e Durrësit, Tiranë, pezulloi menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë, inspektor J. H., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi.
Policia e Shtetit nuk toleron asnjë veprim që kryhet në kundërshtim me ligjin dhe me standardet profesionale të punës dhe do të vijojë të reagojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje nga punonjësit e saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



