Grabiti varësen 12 mijë euro te “Toptani”, arrestohet 17-vjeçari
Një i mitur është vënë në pranga nga policia në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur varëse floriri me vlerë të konsiderueshme në një argjendari brenda qendrës tregtare Toptani Shopping Center.
Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Abdi Toptani”, ku 17-vjeçari dyshohet se ka marrë bizhuteri me vlerë rreth 12 mijë euro dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas denoncimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë nisur veprimet hetimore, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar.
Operacioni policor, i koduar “Golds”, çoi në kapjen e të miturit në kohë të shkurtër, ndërsa gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan varëset e vjedhura, të cilat tashmë shërbejnë si provë materiale në hetim.
Sipas policisë, dyshohet se 17-vjeçari ka kryer vjedhjen një ditë më parë dhe është larguar menjëherë pas marrjes së sendeve me vlerë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Vodhi varëse floriri me vlerë rreth 12 000 euro në një argjendari në një qendër tregtare, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga një 17-vjeçar.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale varëset e vjedhura.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Golds”, pas njoftimit për një vjedhje në një argjendari në rrugën “Abdi Toptani”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i një shtetasi të mitur, 17 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, ditën e djeshme, ka vjedhur varëse floriri në një argjendari në një qendër tregtare në rrugën “Abdi Toptani” dhe më pas është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale varëset e vjedhura”, njofton policia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



