E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Grupe pune  për reformën zgjedhore, opozita jashtë parlamentit, nuk e njeh komisionin
Politikë

Grupe pune për reformën zgjedhore, opozita jashtë parlamentit, nuk e njeh komisionin

Ka kaluar një javë nga mbledhja e fundit e komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, e cila pasoi tryezën e thirrur nga OSBE për të parë këndvështrimet e ndryshme të palëve politike në këtë çështje.

komisioni-RZ

 

Qëllimi i maxhorancës është përmbyllja e këtij procesi brenda këtij viti, duke vënë theksin në përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Në këtë pikë, ekspertët e Reformës Zgjedhore janë në fazën e përkthimit të këtyre rekomandimeve, që më pas do t’u paraqiten anëtarëve të Komisionit Zgjedhor.

Ndër pikat më të rëndësishme në këto rekomandime është edhe depolitizimi i administratës zgjedhore. Sipas Kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesve të tjerë të maxhorancës, adresimi i rekomandimeve të OSBE për Reformën Zgjedhore duhet të bëhet brenda këtij viti, pasi përbën një kriter të vendosur nga BE-ja për të hapur negociatat për anëtarësim. Me këtë synim, maxhoranca kërkon që Reforma Zgjedhore të bëhet me dy faza, që fillimisht të përmbushen rekomandimet e OSBE, për të cilat koha është në favor, dhe më pas të mund të mendohet për çështjet e ngritura nga opozita parlamentare, ajo jashtë institucioneve, por edhe vetë maxhoranca.

Ky objektiv i maxhorancës nuk do të jetë aq lehtë i përmbushëm, pasi opozita parlamentare insiston në një reformë tërësore dhe unitare, duke mos pranuar ndarjen e saj. Për opozitën brenda në Parlament, që në Komisionin e Reformës Zgjedhore përfaqësohet nga Rudina Hajdari, objektivi kryesor pas përmbushjes së rekomandimeve të OSBE/ODIHR është ndryshimi i sistemit zgjedhor, duke synuar një kalim në sistemin proporcional kombëtar me lista të hapura.

Në rast të një refuzimi të kësaj kërkese të tyre, që ata e cilësojnë të panegociueshme, opozita në Kuvend ka kërcënuar se nuk do e japë votën për këtë reformë. Partia Socialiste nuk e ka përjashtuar këtë mundësi, duke shtuar se edhe ajo ka si qëllim përfshirjen e votës së emigrantëve. Por, sipas kreut të PSsë, Rama, puna për këto propozime merr kohë dhe për këtë arsye këto propozime, bashkë me ato që mund të vijnë nga opozita e bashkuar jashtë Parlamentit, mund të trajtohen me më shumë qetësi në një fazë të dytë. Nga ana tjetër, pas mbledhjes së fundit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, që u mbajt me dyer të mbyllura, u ra dakord për ngritjen e tri grupeve të punës.

Njëri grup do të punojë në lidhje me çështjen e financimit të partive. Një grup tjetër do të trajtojë rekomandimin e OSBE/ODIHR, që ka të bëjë me depolitizimin e administratës zgjedhore dhe një tjetër grup punë i përbërë nga anëtarët e këtij komisioni, do të merret me ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend. Gjatë javës së ardhshme pritet një mbledhje e radhës e këtij komisioni, duke qenë se maxhoranca po kërkon me ngulm kryerjen e kësaj reforme brenda muajt dhjetor.

Heshtje nga opozita jashtë Parlamentit: S’e njohim Komisionin

Pas pjesëmarrjes në tryezën e thirrur nga OSBE/ODIHR, Partia Demokratike dhe partitë e tjera jashtëparlamentare nuk kanë bërë asnjë lëvizje në drejtim të Reformës Zgjedhore. Në parim, kreu i PD-së, Basha, dhe përfaqësues të tjerë të opozitës janë shprehur pro një Reforme Zgjedhore gjithëpërfshirëse, por duke mos e njohur komisionin e posaçëm parlamentar të ngritur për këtë qëllim, duke kundërshtuar praninë e Damian Gjiknurit në cilësinë e kryetarit. Për opozitën joparlamentare fillimisht duhen ndëshkuar personat që janë akuzuar si të implikuar në blerje votash në zgjedhjet e kaluara dhe më pas të mund të mendohet për një Reformë Zgjedhore.

“Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare”. tha Ivi Kaso në tryezën e OSBE/ODIHR në 25 shtator dhe duket se nga kjo deklaratë e PD-së nuk ka pasur lëvizje apo zhvillime të reja. Në mbledhjen e javës së shkuar, PD-ja nuk iu përgjigj ftesës së Damian Gjiknurit për të marrë pjesë në mbledhje. Opozita ka të drejtë marrjen pjesë në këtë komision, ku ashtu si Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri ka të drejtën e vetos.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.