Haradinaj i përgjigjet kryeministrit: I kuptueshëm frustrimi i Ramës ndaj meje
Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama ku ndërsa shprehu mbështetje për vendimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të hequr për një periudhë të caktuar taksën 100% ndaj mallrave serbe, sulmoi ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, ky i fundit i ka kthyer pergjigje.
“I kuptueshëm frustrimi i Edi Ramës ndaj meje”, kështu e nis reagimin e tij Haradinaj kundrejt Ramës ndërsa shton se i ka prishur kryeministrit planin serbomadh dhe prandaj ai nuk ia fal.
“I kuptueshëm frustrimi i Edi Ramës ndaj meje. E di që nuk ma fal dot që ia prisha planin serbomadh. Edi Rama pas kthimit nga Moska, vepron pa humbur kohë në zbatimin e këshillave të Lavrovit.
Uroj që Kryeministri Kurti të vazhdojë rrugën time të bllokimit të shtegut të Edi Ramës e të tjerëve për copëtimin e Kosovës dhe fuqizimin e Serbisë e Rusisë në rajonin tonë, duke mbajtur taksën deri në kontratën finale për njohje. Të tjerat janë tashmë histori”, shkruan Haradinaj.
Deklarata e Ramës:
Albin Kurti është në rrugën e duhur!Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit! Do t’i duhet të përballet me etiketën e “tradhëtarit” po ani, ajo etiketë i dallon udhëheqësit e paqes nga statujat e luftës.
Kurrë nuk është dëgjuar një idiotësi më e madhe se sa predikimi që taksa do sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës,se sa ajo taksë e kthyer nga një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA-s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës!
Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit! Albini mund të jetë gjithçka po kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



