E hënë, 26 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Hita viziton policin që u plagos në operacionin në Maliq
Lajme

Hita viziton policin që u plagos në operacionin në Maliq

Gjatë aksionit humbi jetën kolegu i tij, Dëshmori i Atdheut Enea Mekolli

Kryepolici: Sakrifica e Eneas dhe jote nuk do të harrohen kurrë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vizituar në banesën e tij efektivin Edison Adri, i cili mbeti i plagosur gjatë operacionit policor në malin e Bodenit, në Maliq, aksion ku humbi jetën kolegu i tij, Dëshmori i Atdheut Enea Mekolli.

Pas përfundimit të trajtimit mjekësor në Itali, ku iu nënshtrua edhe dy ndërhyrjeve kirurgjikale, Adri është kthyer në Shqipëri dhe ndodhet në shtëpi, ku vijon procesin e rikuperimit.

Gjatë vizitës, Hita u takua me efektivin dhe familjarët e tij, duke i përcjellë mbështetjen e Policisë së Shtetit, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve shtetërore, ndërsa vlerësoi sakrificën e dy efektivëve gjatë përmbushjes së detyrës.

Hita theksoi se Policia e Shtetit do të vijojë të jetë pranë efektivit Adri gjatë gjithë periudhës së rikuperimit.

“Nuk je vetëm” – Hita mesazh policit të plagosur

Gjatë takimit, drejtori i Policisë së Shtetit u shpreh se vizita në banesën e efektivit ishte një dëshmi e mbështetjes që institucioni i jep çdo punonjësi që përballet me rrezikun në krye të detyrës.

“Edison, së pari, gëzohem shumë që je kthyer në shtëpi, pas një kurimi të vështirë në Itali. Kam ardhur sot këtu jo vetëm si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por mbi të gjitha si koleg dhe si një prej njerëzve të familjes së madhe të Policisë”, u shpreh Hita.

Ai kujtoi edhe sakrificën e efektivit Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë operacionit në Maliq dhe është shpallur Dëshmor i Atdheut.

“Sakrifica e Eneas, tashmë Dëshmor i Atdheut dhe sakrifica jote nuk do të harrohen kurrë”, tha Hita, duke i uruar efektivit Adri një rikuperim të plotë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nënvizoi se rruga drejt rikthimit në gjendje të plotë shëndetësore kërkon kohë dhe forcë, por siguroi efektivin se ai nuk do të përballet i vetëm me këtë periudhë.

“Ti e bëre detyrën tënde, tani është detyra jonë të vijojmë të jemi pranë teje, në çdo kohë. Uroj që dita-ditës të bëhesh më mirë, të marrësh veten plotësisht dhe të rikthehesh sa më shpejt në detyrë, aty ku të presin kolegët dhe detyra në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Hita.

Adri falënderon për mbështetjen

Nga ana e tij, Edison Adri falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për vizitën dhe mbështetjen e treguar gjatë periudhës së vështirë që ka kaluar.

Efektivi shprehu gjithashtu mirënjohjen ndaj të gjithë personave dhe institucioneve që kontribuuan për trajtimin e tij mjekësor jashtë vendit.

Operacioni në malin e Bodenit në Maliq u shënua nga një ngjarje e rëndë për Policinë e Shtetit, pasi gjatë aksionit humbi jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa Edison Adri u plagos rëndë.

Pas trajtimit në Itali dhe ndërhyrjeve kirurgjikale, Adri tashmë vijon rikuperimin në banesë, ndërsa kolegët dhe familjarët presin rikthimin e tij në gjendje të plotë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.