“Homeland Justice” tregon “kthetrat, rrezikohen sistemet qeveritare
Sulmohet korrespondenca e Kuvendit
Shqipëria përballet me një kërcënim të ri në fushën e sigurisë kibernetike. Grupi i hakerëve Homeland Justice, i njohur për sulmet ndaj institucioneve shqiptare në të kaluarën, ka publikuar së fundmi një mesazh paralajmërues në kanalin e tij në Telegram.
Sipas postimit të shpërndarë, grupi ka ndarë një imazh me mbishkrimin “Coming Soon”, duke lënë të kuptohet se mund të ketë një valë të re sulmesh në ditët ose javët e ardhshme. Në të njëjtin kanal, Homeland Justice pretendon se kanë hakuar sisteme në Shqipëri, duke përfshirë edhe disa të institucioneve shtetërore, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet.
Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se objektivat e ardhshme mund të jenë më të ndjeshëm: infrastruktura financiare, bankat, hidrocentralet dhe sistemet qeveritare. Ndryshe nga sulmet e mëparshme që synonin kryesisht të dhëna, këtë herë rreziku është drejt shërbimeve vitale për funksionimin e vendit.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit kanë qenë të tensionuara që nga vendimi i Tiranës për të ndërprerë lidhjet diplomatike me Teheranin në vitin 2022. Pas këtij vendimi, disa sisteme shtetërore, përfshirë platformën e-Albania dhe sistemin kufitar TIMS, kanë përjetuar sulme që shkaktuan ndërprerje dhe pengesa në operim.
Për më tepër, Homeland Justice ka sulmuar edhe korrespondencën e Kuvendit të Shqipërisë, duke deklaruar:
“Të gjitha bisedat dhe korrespondenca e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit gjatë muajve të fundit janë në duart e Homeland Justice. Ne jemi shumë më pranë jush sesa mendoni. A i strehuat vërtet ata vrasës dhe vrasës fëmijësh? Ne do të sigurohemi që kjo turp të mbetet me ju përgjithmonë.”

Specialistët paralajmërojnë se vendi mbetet i ekspozuar ndaj kërcënimeve të tilla. Një sulm i koordinuar ndaj sistemeve kritike mund të shkaktojë ndërprerje të shërbimeve, bllokim të transaksioneve dhe ndikime të konsiderueshme për ekonominë dhe jetën e përditshme.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet shqiptare lidhur me këto paralajmërime. Publiku mbetet në pritje të informacioneve të mëtejshme nga institucionet përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




