Hyjnë në fuqi rregullat e reja, kujdes se do t’ju hiqet përjetë patenta
Ndryshimet më të fundit në Kodin Rrugor kanë hyrë zyrtarisht në fuqi, duke vendosur rregulla më të forta për drejtuesit e mjeteve që kapen në shkelje, veçanërisht për ata që drejtojnë nën efektin e alkoolit. Paketa ligjore, e miratuar në Kuvend më 18 qershor dhe e publikuar në Fletoren Zyrtare më 22 korrik, tashmë po zbatohet plotësisht nga strukturat e Policisë Rrugore në të gjithë vendin.
Thelbi i reformës lidhet me masat e reja për shkelësit përsëritës. Sipas dispozitave të përditësuara, çdo drejtues mjeti që kapet për herë të dytë duke drejtuar me nivel alkooli në gjak mbi kufirin e lejuar prej 0.5 gramë për litër, do të përballet me një ndëshkim ekstrem: heqjen përfundimtare të lejes së drejtimit.
Kjo masë konsiderohet ndër më të ashpra të parashikuara deri më tani, pasi nuk lë hapësirë për rikuperim. Shoferët që penalizohen mbi këtë bazë humbasin përgjithmonë të drejtën për të drejtuar automjet, duke mos pasur më mundësi të regjistrohen në autoshkollë apo të aplikojnë për rimarrjen e patentës në të ardhmen.
Autoritetet argumentojnë se këto ndryshime synojnë të frenojnë në mënyrë drastike drejtimin në gjendje të dehur, një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore me pasoja të rënda. Përmes forcimit të sanksioneve, synohet rritja e ndërgjegjësimit dhe garantimi i një niveli më të lartë sigurie për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



