I lidhur me grupin e Jetmir Papës, ekstradohet nga Greqia Florjan Vuka
Florjan Vuka, i njohur gjithashtu me mbiemrin Vathaj, është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) si një nga personat e dyshuar për përfshirje në grupin kriminal të drejtuar nga Jetmir Papa, i hetuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Pas mbërritjes në Shqipëri, Vuka pritet të përballet me Gjykatën e Posaçme, e cila do të shqyrtojë masën e sigurisë ndaj tij. Përmes shortit elektronik, gjyqtare e çështjes është caktuar Alma Kodraliu.
Ajo do të vlerësojë nëse ndaj Vukës do të vijojë masa e sigurisë “arrest në burg”, e vendosur më herët, apo nëse do të ketë ndryshim të saj në një masë më të lehtë.
Sipas të dhënave të hetimit, grupi kriminal ku dyshohet se bënte pjesë Vuka kishte shtrirje në disa shtete dhe vepronte përgjatë një zinxhiri ndërkombëtar të trafikut të kokainës, duke përfshirë Amerikën Latine, Belgjikën dhe Holandën.
Hetimet kanë dokumentuar të paktën tetë episode të dyshuara të trafikimit të sasive të mëdha të kokainës gjatë periudhës 2019-2021. Çështja vijon të hetohet nga prokurori Alfred Shehu, ndërsa autoritetet po zbardhin rolet dhe përfshirjen e personave të dyshuar në aktivitetin kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



