(I pa)Vullneti i Parlamentit kërkon takim “bese” me qytetarët e Vlorës
Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sina, ka ftuar qytetarët e Vlorës të takohen me të për të diskutuar shqetësimet dhe problematikat e tyre, në kuadër të nismës “Prania Besnike”. Ftesa vjen vetëm pak orë pasi ai votoi pro reformës së re administrativo-territoriale, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë së Selenicës.
Përmes një njoftimi, Sina bëri të ditur se takimet me qytetarët do të zhvillohen sot, në orën 17:00, në zyrën e tij në Vlorë. Deputeti thekson se dëgjimi i shqetësimeve dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me banorët janë pjesë e angazhimit të tij të përditshëm.
“Sot, në orën 17:00, në zyrën time në Vlorë do të zhvilloj takime me qytetarët në kuadër të nismës ‘Prania Besnike’.
Dëgjimi i shqetësimeve, komunikimi i drejtpërdrejtë dhe ndjekja e problematikave të qytetarëve janë pjesë e angazhimit tim të përditshëm në shërbim të tyre.
Jam i hapur për çdo shqetësim, kërkesë apo ide që synon përmirësimin e jetës së komunitetit tonë. Jeni të mirëpritur”, shkruan Sina.
Por kjo ftesë vjen në një moment që ngre pikëpyetje për raportin mes deputetit socialist dhe qytetarëve që ai pretendon se përfaqëson.
Nga kundërshtimi te vota pro për shkrirjen e Selenicës
Vullnet Sina ishte ndër deputetët socialistë që fillimisht shfaqi kundërshtime ndaj reformës së re territoriale, e cila prek drejtpërdrejt Bashkinë e Selenicës. Megjithatë, në votimin përfundimtar në Kuvend, ai votoi pro variantit të mazhorancës.
Ky ndryshim qëndrimi ka ngritur pikëpyetje mbi arsyet që e shtynë deputetin të mbështeste një reformë ndaj së cilës kishte shprehur rezerva. Pretendimet për presion nga kryeministri Edi Rama janë pjesë e kritikave që shoqërojnë këtë zhvillim, por mbetet thelbësore që rrethanat e këtij ndryshimi të qëndrimi të sqarohen.
Dhe vetëm pak orë pas votës që mbështeti shkrirjen e Bashkisë së Selenicës, Sina u drejtohet qytetarëve me një ftesë për të ndarë me të shqetësimet e tyre.
Kontrasti është i dukshëm: nga njëra anë, një vendim politik që prek organizimin e pushtetit vendor dhe komunitetet lokale; nga ana tjetër, një thirrje për komunikim të drejtpërdrejtë dhe përfaqësim të interesave të qytetarëve.
Në fund, pyetja që shtrohet është se sa peshë kanë shqetësimet e banorëve kur vjen momenti për të marrë vendime politike në Kuvend. Sepse qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për dyer zyrash të hapura dhe ftesa për takime, por edhe për përfaqësues që mbajnë qëndrime të qarta kur interesat e komuniteteve të tyre janë në diskutim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



