E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ikën dritat gjatë operacionit? Spitali i Durrësit: Erdhi në gjendje kritike
Lajme

Ikën dritat gjatë operacionit? Spitali i Durrësit: Erdhi në gjendje kritike

Spitali Rajonal i Durrësit ka reaguar pas lajmeve të publikuara në disa media, sipas të cilave gjatë ndërhyrjes kirurgjikale të 15-vjeçarit Erion Boba më 25 nëntor dyshohej se kishte pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Në një deklaratë për shtyp, institucioni mohon kategorikisht këto pretendime.

Sipas spitalit, pas verifikimeve të detajuara me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe personelin e reanimacionit, nuk rezultoi asnjë moment ndërprerje energjie gjatë ndërhyrjes së pacientit. Ata theksojnë se gjeneratori i spitalit aktivizohet automatikisht në çdo rast emergjence, ndërsa aparaturat jetike funksionojnë me bateri të brendshme, të cilat garantojnë vazhdimësi të plotë edhe në situata të mundshme luhatjesh. Në deklaratë theksohet edhe se ashensorët janë në punë dhe të mbuluar me kontratë aktive mirëmbajtjeje, që parashikon ndërhyrje të menjëhershme në rast defektesh.

Në njoftimin zyrtar, spitali shpreh ngushëllimet për familjen e të miturit, duke bërë të ditur se ai është paraqitur në urgjencë në gjendje tepër kritike, në shok traumatik–hemorragjik. Sipas mjekëve, ekipet kanë ndërhyrë menjëherë me procedurat e duhura emergjente, duke arritur stabilizimin fillestar, por komplikacionet e mëvonshme kanë ardhur si pasojë e gjendjes së rëndë dhe arrestit kardiak traumatik.

Spitali Rajonal i Durrësit nënvizon se është i angazhuar për të ofruar kujdesin më të mirë shëndetësor të mundshëm dhe se po bashkëpunon me të gjitha institucionet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Reagimi i plotë i Spitalit Rajonal Durrës:

Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të miturit E.B, i cili humbi jetën informojmë opinionin publik se pacienti është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.

Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Komplikacionet e zhvilluara janë pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik.

Në vijim të publikimeve mediatike mbi pretendimin se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Rajonal Durrës “kanë ikur dritat”, sqarojmë opinionin publik si më poshtë:
Pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë operacionit të pacientit në fjalë.

Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme.

Gjithashtu, ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe të mbuluar me kontratë aktive mirëmbajtjeje, me mekanizma ndërhyrjeje të menjëhershme në rast defektesh.

Spitali Rajonal Durrës është i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor dhe bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e ngjarjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.