ILD kërkon ulje page 40% për gjyqtaren Suela Dashi
Inspektoriati konstatoi se gjyqtarja ka kryer shkelje të rënda me dashje
Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka propozuar masë të fortë disiplinore ndaj gjyqtares Suela Dashi, duke kërkuar uljen e pagës së saj me 40% për një periudhë deri në një vit, pas një hetimi që evidenton shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës.
Sipas raportit zyrtar, hetimi disiplinor është nisur pas ankesave të paraqitura nga zëvendëskryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, si dhe nga dy ankues të tjerë. Gjatë verifikimeve, ILD ka konstatuar se gjyqtarja ka kryer disa shkelje të parashikuara nga ligji nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Ndër shkeljet e evidentuara përfshihen mungesat e pajustifikuara në detyrë për më shumë se tre ditë pune në vit, mosparaqitja e kërkesës për heqje dorë nga shqyrtimi i një çështjeje kur kjo është e detyrueshme, si dhe mosrespektimi apo zbatimi i gabuar i legjislacionit procedural dhe material, të konstatuara edhe nga gjykata më të larta.
Raporti i ILD-së thekson se këto shkelje janë kryer me dashje, duke marrë në konsideratë edhe eksperiencën profesionale të magjistrates. Sipas vlerësimit, veprimet dhe mosveprimet e saj kanë cenuar parimet themelore të paanshmërisë dhe ligjshmërisë, kanë prekur të drejtat e palëve në procesin gjyqësor dhe kanë dëmtuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
Gjithashtu, raporti paralajmëron se një sjellje e tillë përbën rrezik për krijimin e precedentëve negativë dhe mund të ndikojë në standardet e përgjithshme të funksionimit të sistemit gjyqësor.
Nga ana tjetër, ILD ka vlerësuar se nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese që të justifikojnë shkeljet, përveç faktit se gjyqtarja nuk ka pasur më parë masa disiplinore dhe ka bashkëpunuar gjatë hetimit.
Në përfundim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka propozuar Këshillit të Lartë Gjyqësor vendosjen e masës disiplinore “ulje e përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë jo më të gjatë se një vit”, duke e cilësuar sjelljen e gjyqtares si shkelje të rëndë sipas legjislacionit në fuqi.
Njoftimi i plotë:
Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka nisur hetimin disiplinor ndaj magjistrates S.D., gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, pas ankesave të paraqitura nga zëvendëskryetari i kësaj gjykate dhe dy ankues të tjerë. Hetimi është kryer për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 1, shkronjat “a”, “f” dhe pika 2, shkronja “a” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar
Nga tërësia e fakteve të konstatuara gjatë hetimit disiplinor provohet se nga ana e magjistrates janë kryer shkeljet disiplinore që ligji i parashikon si:
Mungesa e pajustifikuar në detyrë, për më shumë se tre ditë pune në vit;
Mosparaqitja e kërkesës për heqje dorë nga procedimi apo gjykimi i çështjes, kur kjo është e detyrueshme sipas ligjit, nëse magjistrati ka dijeni ose duhet të kishte dijeni të rrethanave të tilla;
Mosrespektimi i rëndë ose i përsëritur i legjislacionit procedural e material ose zbatimi i gabuar i legjislacionit procedural dhe material, kur konstatohet nga një gjykatë më e lartë.
Raporti hetimor i ILD-së vlerëson se shkeljet janë kryer me dashje, duke pasur parasysh edhe përvojën profesionale të magjistrates. Sipas raportit, veprimet dhe mosveprimet e gjyqtares S.D. kanë cenuar parimet e paanshmërisë dhe ligjshmërisë, të drejtat e palëve në procesin gjyqësor, si dhe prestigjin e magjistratit dhe besimin e publikut në sistemin gjyqësor. Gjithashtu, raporti vlerëson se sjellja e konstatuar nga gjyqtarja paraqet rrezik për përsëritjen e praktikave të ngjashme nga magjistratë të tjerë dhe krijon precedent negativ për funksionimin e sistemit gjyqësor.
Inspektorët e ILD-së kanë konstatuar se nuk ekzistojnë shkaqe objektive ose rrethana jashtë kontrollit të magjistrates, që të justifikojnë shkeljet e konstatuara, ndërsa si rrethana lehtësuese konsiderohet fakti që magjistratja nuk ka pasur më parë masa disiplinore në fuqi dhe se ka bashkëpunuar gjatë zhvillimit të hetimit disiplinor.
ILD ka arritur në konkluzionin se veprimet dhe mosveprimet e gjyqtares S.D. përbëjnë shkelje të rënda disiplinore, sipas nenit 102, pika 1, shkronjat “a” dhe “f”, si dhe pika 2, shkronja “a” të ligjit nr. 96/2016. Për këtë arsye, ILD i propozoi Këshillit të Lartë Gjyqësor caktimin e masës disiplinore “Ulja e përkohshme e pagës deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit” ndaj gjyqtares S.D., e parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “c”, nëndarja “i”, në lidhje me nenin 108, shkronja “b” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



