E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Infantino nuk i ndal “çmenduritë”, kërkon Botëror me 64 ekipe
Bota

Infantino nuk i ndal “çmenduritë”, kërkon Botëror me 64 ekipe

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka rikthyer në vëmendje një nga propozimet më të debatueshme për të ardhmen e futbollit botëror: zgjerimin e Kupës së Botës 2030 në 64 kombëtare.

Turneu i vitit 2030, i cili do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, me ndeshje hapëse edhe në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, mund të përfshijë 16 skuadra më shumë sesa formati prej 48 ekipesh që do të aplikohet në Botërorin e vitit 2026.

Në një intervistë për median zvicerane, Infantino konfirmoi se kjo ide nuk është lënë pas dhe do të rikthehet për diskutim pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.

“Zgjerimi në 64 skuadra është një çështje që do të analizohet pas këtij Botërori dhe do të diskutohet në organet drejtuese të FIFA-s,” u shpreh kreu i institucionit më të lartë të futbollit.

Infantino la të kuptohet se është i hapur ndaj një zgjerimi të mëtejshëm, duke argumentuar se Kupa e Botës duhet të jetë një turne gjithëpërfshirës që përfaqëson të gjitha kontinentet.

“Një Kupë Bote organizohet për të gjithë botën. Shumë vende ëndërrojnë pjesëmarrjen, ndërsa cilësia e futbollit është në rritje të vazhdueshme. Nëse u mohohet mundësia për t’u kualifikuar, u mohohet edhe zhvillimi,” theksoi ai.

Ideja për një Botëror me 64 ekipe u hodh fillimisht në mars 2025 nga Federata e Futbollit e Uruguait dhe më pas mori mbështetje nga presidenti i CONMEBOL-it, Alejandro Domínguez. Sipas tij, një zgjerim i tillë do të kishte kuptim vetëm për edicionin e vitit 2030, në kuadër të 100-vjetorit të Kupës së Botës, e cila u zhvillua për herë të parë në Uruguai në vitin 1930.

Vendimi përfundimtar pritet të merret pas Botërorit 2026, në një mbledhje të Këshillit Ekzekutiv të FIFA-s. Nëse miratohet, kalimi në 64 ekipe do të shënonte një tjetër transformim të madh në historinë e kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit botëror.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.