Informohet KE-ja, Marta Kos akuzohet si ish-agjente e UDB-së!
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, është përfshirë sërish në polemika në vendin e saj, Slloveni, pas akuzave se në vitet ’80 ka qenë bashkëpunëtore e UDB-së, shërbimit famëkeq sekret të ish-Jugosllav.
Debati ka kaluar tashmë edhe përtej kufijve të vendit, duke mbërritur në institucionet e BE-së në Bruksel. Eurodeputetja sllovene Romana Tomc bëri të ditur se i ka dërguar Komisionit Europian dokumente që, sipas saj, provojnë përfshirjen e Kos në strukturat e spiunazhit të ish-Jugosllavisë. Ajo ka kërkuar që mbi këtë çështje të zhvillohet një verifikim zyrtar për integritetin e komisioneres.
Vetë Kos i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe pjesë e një fushate dezinformimi. Sipas saj, akuzat po përdoren për qëllime politike në një moment të ndjeshëm për politikën e brendshme në Slloveni.
Polemikat janë rikthyer në prag të zgjedhjeve të 22 marsit në Slloveni, ku koalicioni i qendrës së majtë i kryeministrit Robert Golob, që mbështet Kos, po përballet me presion të shtuar nga opozita e djathtë.
Të hënën, komisionerja pritet të paraqitet përpara Komitetit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, ku do të duhet të mbrojë integritetin e saj përpara se të diskutojë mbi politikat dhe planet e zgjerimit të bllokut europian.
Marta Kos është pjesë e grupit politik centrist “Renew Europe” në Parlamentin Europian. Përpara se të merrte detyrën e komisioneres për zgjerimin, ajo ka ndërtuar një karrierë të gjatë në diplomaci, duke shërbyer si ambasadore e Sllovenisë në Gjermani dhe Zvicër, si dhe duke mbajtur poste drejtuese në fushën e komunikimit dhe tregtisë në vendin e saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



