Intervista/ Adriatik Llalla : E prisja dënimin me burg
Ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla është shprehur të hënën se vendimi për dënimin me burg e priste, duke theksuar se një vendim i tillë është marrë jashtë sallës së gjykimit prej kohësh.
I ftuar në Syri Tv, Llalla theksoi se nuk ndihet mirë, pasi njeriu nuk mund të ndihet mirë për një vepër që s’e ka kryer.
“Të jem i sinqertë, një vendim të tillë e prisja. Është një vendim që u mor jashtë sallës së gjykimit, prej më shumë kohësh, hetimet e nisura ndaj meje, edhe përpara se prokuroria të niste hetimet, dukej se një vendim i tillë ishte marrë dhe u formalizua në sallën e gjykimit. Normalisht nuk ndihem mirë. Nuk ka si ndihet mirë një njeri që është dënuar për një vepër që nuk e ka kryer. Por krahas vetes ndjej se sistemi i drejtësisë po shkon drejt një modeli tjetër të zhvillimit, ku në shumë raste vendimmarrjet merren jashtë sallën së gjykimit për të plotësuar tekat, dëshirat, mllefet e individëve të caktuar”, tha ai.
Llalla theksoi më tej se hetimet ndaj filluan për korrupsion dhe për disa vepra të tjera penale, duke mos u lënë veprim hetimor dhe pa u bërë verifikimi nëse kishte apo jo korrupsion.
“Hetimet ndaj meje filluan për korrupsion dhe për disa vepra të tjera penale. Nuk u la veprim hetimor pa u bërë për të verifikuar nëse kishte korrupsion apo jo. Përfundimi ishte se prej meje, akuza mendoj se shkoi në mos deklarim të pasurive dhe për asnjë vepër tjetër penale. Vepër për të cilën jam edhe dënuar në pritje për të ndjekur ecurinë e mëtejshme të procesit”, tha Llalla.
Për ish-kryeprokurorin të punosh në një detyrë të tillë, ka edhe kostot e veta, po bindja e tij për punën që ka bërë nuk ka pasur asnjëherë një veprim të kundërligjshëm dhe për më tepër korrupsion apo një vepër të kësaj natyre.
“Do të bëj një përmbledhje të asaj çfarë aludohet në lidhje me pasuritë e mia. Bëhet fjalë për një apartament banimi 60 metra2 në qytetin e Durrësit, 22 mijë metër2 tokë arë në një fshat të largët të Tiranës dhe kati i 3-të i banesës ku unë jetoj prej mëse 20 vitesh. Sipas akuzës edhe më pas të gjykatës, asnjë prej meje nuk pati pretendime nëse këto pasuri ishin deklaruar, prona që unë i kam dhe i kam deklaruar. Pretendimi i akuzës është se nuk është deklaruar vlera reale e ndërtimit të këtyre pronave. Akuzë që e bazojnë vetëm në një akt ekspertimi teknik e kryer nga një eksperte e zgjedhur nga prokurori, pa kryer asnjë veprim tjetër hetimor. Kjo u mor përbazë dhe mbi bazën e këtij ekspertimi gjykata arriti në konkluzionin që unë kam kryer këtë vepër penale. Akt të cilin unë realisht është kryer në mënyrë të njëashme dhe në provat e reja që dolën gjatë gjykimit, e sillte të domosdoshme kryerjen e një akti tjetër ekspertimi. Gjykata nuk mori në konsideratë vetëm me qëllimin që ti referohen këtij akti që në përfundim të gjykimit të gjindej shkaku që të më deklaronte fajtor”, tha ai.
Llalla tha se pasuritë e tij janë siguruar nga burime të ardhurash legjitime, të verifikuara, kontrolluara prej 3 vitesh nga hetimi.
“I vetmi pretendim në rastin tim, bazohet në rastin e rivlerësimit, në bazë të të cilit pretendohet se këto prona kanë vlerë më të lartë dyfish se sa i kam deklaruar unë”, tha ai.
Pjesë nga intervista
Nëse gjykatat do të vendosin përfundimisht dënimin tuaj me burgim, si mund ta vuaj ish-Prokurori i Përgjithshëm dënimin me burgim mes te dënuarve qe janë dënuar gjate kohës tuaj edhe te dënuarve te tjerë?
Normalisht nuk është se do të ndihet mirë, nëse do të shkojë drejt një fundi të tillë. Gjithsesi do të respektoj vendimin e drejtësisë shqiptare për të vuajtur dënimin që nëse vlerësohet, sipas rregullave të bazuar në ligj. Nuk ndihem i kërcënuar apo i trembur. Nuk do të dal të debatoj apo zihem me të dënuar të tjerë nëse do të shkoj në të tilla rrethana. Nga ana tjetër nuk kam frikë askënd, sepse kushdo që është hetuar apo gjykuar gjatë kohës që unë drejtoja akuzën, apo kam punuar prokuror i thjeshtë në të gjitha rrethet e vendit nuk është hetuar apo dënuar në mënyrë tendencioze. Gjithçka është bazuar në prova.
Nëse nuk keni frikë askënd, pse nuk keni nisur hetimet për të njëjtën çështje për kryeministrin Rama, kryebashkiakun Veliaj sepse i keni pasur të dhënat e deklarimit të pasurive të tyre. Veliaj e ka të paktën me dyfishin e vlerës, apartamentin që ka blerë. Rama ka deklaruar se ka blerë tokë me 2 mijë lekë të vjetra, sot po flasim për një pronë milionash. A ndiheni përgjegjës që shikoni se jeni në këtë situatë dhe nuk keni filluar hetim për këta zyrtarë të lartë që qartësisht nuk e justifikojnë çmimin e tregut për kohën kur janë blerë?
Nëse do të ndiqej kjo praktikë që është ndjekur me mua sot, pra të dënohesh për një deklarim që ti e ke bërë në përputhje me ligjin, kontrata në përputhje me ligjin, vetë subjektet kanë bërë, dokumentuar përpara noterit me vullnetin e tyre të plotë. Është një marrëveshje mes palëve dhe nuk ka arsye për të filluar hetim. Por nëse do të hapej sot, siç ka filluar rasti im, prokuroria është e detyruar të nisë hetimet për cilindo, përfshirë edhe ata që përmendët ju.
Prokuroria fillon hetime edhe kryesisht. Ka nisur hetime edhe për raste të tjera deklaratash në publik. Rama në atë kohë ka deklaruar për një tokë të blerë për 2500 lekë. Më vonë është shprehur se shtëpinë e ka bërë me kursimet e gruas. Kur filloi protesta e studentëve, ai tha se shtëpinë e kam bërë me kursimet e mia si refugjat në Paris. Deklarata kontradiktore, ku çdo prokuror do të niste hetim për korrupsion aktiv. Ju keni qenë prokuror në 2019.
Jo, unë nuk kam qenë prokuror në 2019. Mandati im ka përfunduar në fund të 2017.
Nuk keni qenë prokuror kur ka deklaruar Rama, sepse janë dy deklarata që çdo prokurori që zbaton ligjin do të niste hetim. Ju po thoni se keni blere pronat me çmimin real ashtu siç kanë blerë edhe shumë zyrtarë te tjerë dhe qytetar ne atë zone, po kështu rivlerësimi i pronës është një veprim ligjor.
A keni dijeni ju për emra konkrete dhe si e shpjegoni qe për te njëjtat shkaqe ndaj jush kane filluar hetimet dhe u dënuat dhe për asnjë rast tjetër nuk kane filluar?
Emra konkret nuk kam. Di kontratat që janë lidhur, me ato jam njohur gjatë procesit të hetimit, pra ku eksperti ka përmendur të gjithë rastet e ngjashme ku pronar janë shitur me çmim më të lirë. Por emrat konkret nuk kam. Emra kam dëgjuar shumë, por nuk mund të flas në opinion, por nuk mund të flas me emra
Keni qenë kundër reformës…
Nuk kam qenë kundër reformës. Sistemi i drejtësisë kishte nevojë për tu reformuar, jo për tu sulmuar. Unë kam qenë kundër sulmit në bllok që po bëhej ndaj punonjësve të sistemit të drejtësisë. Të gjithë u hodhën kundër punonjësve të sistemit të drejtësisë, atyre që në ditët më të vështira, në vitin 1997, punuan në çdo cep të vendit. Prokurori i Gjirokastrës i cili mbronte prokurorinë me armë. Në Vlorë, Lushnje, Berat, e kudo tjetër. Këta njerëz nisën të sulmoheshin dhe etiketoheshin si kriminel, që realisht janë njerëz që punonin ndershmërisht. Sulm në bllok, duke përfshirë edhe presidentin Nishani që ishte i pari që sulmonte punonjësit e drejtësisë dhe të gjithë me radhë.
Ju ka sulmuar dhe presidenti Nishani?
Mua personalisht jo, por sistemin e drejtësisë. Nishani, Dedja, kryetari i gjykatës së lartë e të gjithë me radhë u hodhën të gjithë kundër punonjësve të sistemit me idenë se mund të siguronin privilegje në të ardhmen. Në daljet publike kam qenë i vetmi zyrtar i cili kam qenë kundër luftës në bllok që po i bëhej njerëzve të drejtësisë.
Ju keni qenë i zgjedhur nga Nishani si kryeprokuror. A ja keni thënë Nishanit se pse po e sulmoni drejtësinë në bllok?
I kam thënë Nishanit, Metës dhe kujtdo tjetër, që ky nuk është veprimi i duhur. Ne nuk mund të demotivojmë pjesën pozitive. Një nga debatet me Donald Lu ka qenë pikërisht kjo. Sepse nuk mund të sulmohet në bllok të gjithë punonjësit e sistemit, sepse po demotivojmë pjesën pozitive të punonjësve të sistemi te drëjtësisë dhe fakti po e tregon se jo të gjithë mund të futen në një kallëp, sepse vettingu po tregon se pjesa më e madhe po e kalon këtë proces.
Gjatë kohës që ishit në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, u përfshitë në një debat të ashpër, madje edhe me akuza personale me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu. Përse kjo përplasje? A nuk mund të kishit një qëndrim më luajal dhe të shmangnit kursin e debateve me përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Me Donald Lu debati u kthye në konflikt personal. Filluan debatet mediatike, sulmet e ndërsjellta pa pasur asnjë arsye madhore, përveç faktit se në natyrën e tij, ose ashtu kishte gjetur rrugën në shumë institucione të tjera, synonte të bëhej ashtu siç donte ai. Në një moment që ata nuk perceptonin dot mendimin ndryshe, mendimin e një drejtuesit të një institucioni të shtetit shqiptar.
Pra fillimisht me Donald Lu përplasja ishte për reformën në drejtësi, nuk pranonte asnjë lloj mendimi ndryshe nga ai?
Fakti tregon se ky proces reforme siç erdhi, u implementua pa marrë mendimin e askujt brenda sistemit. Prokuroria përshembull, çoi anëtarë të grupit të punës, dy nga anëtarët më të mirë që kishim. Fatkeqësisht të dy janë larguar nga sistemi, si Dritan Rreshka dhe Henrik Ligori. Ishin pjesë e grupit të punës, por realisht nuk dhanë ndonjë kontribut sepse mendimi i tyre nuk u mor asnjëherë në konsideratë. Në bindjen time, unë kam qenë gjithmonë që akuza të mos decentralizohej, por të ishte një institucion i centralizuar. Tashmë me ndryshimet ligjore nuk është më ai institucion i centralizuar dhe mendoj se rrjedha që ka marrë nuk është më ai institucion serioz shtetëror.
Ju po thoni se sekretari Tillerson ju ka shpallur non grata se ka besuar portalin e Alfred Pezës?
Nuk ka tjetër, nuk ka pasur asnjë të dhënë tjetër publike. Përgjigja i referohet një opinioni të gjerë publik, përveç një portali që u krijua kundër rregullave duke u betuar përditë se do të më shkatërronte mua dhe familjen time, etj. Qëllim që deri diku ka arritur ta realizojë duke e kthyer në një konflikt personal e jo vetëm ligjor.
Alfred Peza nuk tremb njeri, është ish-gazetar, ish-deputet, një prej megafonave të Ramës, por gjithsesi është pak e papranueshme të mendojmë se Peza paska ndikim tek ambasada këtu apo DASH për të ju shpallur non grata. Ky sulm ju ka ardhur nga ambasada këtu duke përdorur portalin e Pezës, apo mendoni se ka edhe politikanë të lartë kundër jush.
Në morinë e të gjithë këtyre që përmende secili ka rolin e vete. Unë po e nis nga politikanët shqiptare. Gjatë kohës që isha kryeprokuror, shumë zyrtarë të lartë, përfshirë politikanë, deputet, kryetarë bashkisë, u hetuan, dënuan, ndëshkuan për veprat që kishin kryer. Njëherazi në zbatim të ligjit të dekriminalizimit u larguan një sërë deputetësh që ishin kthyer në faktor politik në vend, sepse nuk ishin vetëm deputetë, por kishin edhe pasuri të konsiderueshme, media apo çdo material që ndikonte mbi pushtetin. Këta kanë ndikim në çështjen time. U krijuan përplasjet siç edhe rastit të krijuar vetëm për të më sulmuar mua.
Kush prej zyrtarëve të lartë, mendoni se ka ndikuar, hakmarrë ndaj jush?
Secili me rolin e vet, më aktivët duket qartë që media, megafoni ka qenë Peza.
Asnjëri prej tyre nuk është dënuar, thjeshtë ka pasur nisje hetimesh. A do të thotë kjo që Llalla nuk e ka bërë punën e tij, apo është shantazhuar?
Puna ime është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk ka asnjë rast të tolerimit, raste të shkeljes së ligjit. Përfundimit e gjykimit kanë ndodhur pasi unë jam larguar nga drejtimi i Prokurorisë së Përgjithshme. Të gjithë gjyqet kanë përfunduar apo kanë shpallur të pafajshëm pasi unë jam larguar.
Dakord, ju keni nisur hetimet, por Rama ka lënë jo njëherë, por disa herë të kuptohet se dalja e përgjimeve të zgjedhjes së Dibrës dhe Durrësit, në gazetën Bild ka qenë një bashkëpunim i prokurorisë shqiptare për të dëmtuar Edi Ramën dhe zgjedhjet e 2017. A ka pasur gisht Adriatik Llalla në publikimin e këtyre përgjimeve?
Nuk mundet që prokurori të përfshihet në nxjerrje të sekretit të hetimit. Do të ishte një tjetër shkelje ligjore.
A filluar një hetim për të kuptuar se nga dolën keto të dhëna?
Këto hetime kanë nisur dhe përfunduar pasi unë jam larguar nga funksioni, pasi mandati im ka përfunduar në në fund të vitit 2017. Nuk e di me saktësi se çfarë ka ndodhur pasi unë jam larguar nga funksioni.
A mendoni se sulmi i brendshëm ka ndodhur pikërisht publikimi i këtyre përgjimeve? Ose firma juaj për të përgjuar këto zyrtarë?
Unë kam qenë gjithmonë në ushtrim të detyrës time.
A mund të ndodhin përgjimet pa urdhër të prokurorit?
Përgjimet formalizohen me vendimin e gjykatës. Përgjimet e proceduriale bëhen me firmën e gjykatës.
A keni qenë në dijeni se po përgjohen këta zyrtarë të lartë?
Isha në dijeni të shumë hetimeve që kishin nisur. Prokurori i Përgjithshëm ka pasur kompetenca më të mëdha se sa sot dhe tek unë, ishte detyrim që strukturat e prokurorisë të raportonin për ecurinë e hetimeve, sidomos kur bëhej fjalë për çështje sensitive.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



