INTERVISTA/ Skandali i “TIMS”/ Janë grabitur informacionet sekrete!

Spahiu: Prokuroria Speciale (SPAK) ka hyrë në një zonë të “minuar”, ndërsa zbuloi se janë grabitur informacione sensitive të klasifikuara sekret referuara skandalit me të dhënat e “TIMS”.

Juristi i njohur, Kreshnik Spahiu ka folur për situatën politike dhe jovetëm, teksa ka bërë disa deklarata të forta.

Spahiu theksoi se Prokuroria Speciale (SPAK) ka hyrë në një zonë të “minuar”, ndërsa zbuloi se janë grabitur informacione sensitive të klasifikuara sekret referuara skandalit me të dhënat e “TIMS”.

Sipas tij, duke përdorur grabitjen e të dhënave të TIMS mund të shantazhohen deputetët, ndërkohë që shtoi se në skemën mafioze janë përfshirë shërbime inteligjente të huaja, ku në rrezik janë edhe aksionet policore.

-Zoti Spahiu, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit raportuan institucionet, ndërkohë që ra në sy diskutimi Çuçi-Dumani. Mendoni se ishte normal?

Mendoj se ishte normal, do ishte më normale që të ishte më i ashpër. Ka ardhur një moment që institucionet e drejtësisë duhet të kenë edhe një debat më konstruktiv e më të ashpër me qeverinë apo Parlamentin. Debati profesional dhe ligjor e juridik i vë të gjitha pushtetet në pozita pune. Ajo që kam pritur deri tani jo vetëm SPAK-u, drejtuesi i SPAK-ut por të gjithë drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, kryetari i Gjykatës së Lartë, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, kreu i KLP-së, kreu i KLGJ-së, Byroja Kombëtare e Hetimit, të mbanin një qëndrim ndaj Amnistisë që u votua në Parlament. Çdo Parlament evropian kur voton një amnisti e bazon atë mbi mendimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve pasi janë ato të mundet të marrin impaktin kryesor të vlerave që merr ajo apo të pasoja që sjell amnistia. Ende deri sot nuk njoh asnjë deklarim nga drejtuesit e institucioneve të drejtësisë pasi e shohin pasqyrën apo vlerën e amnistisë pasi ato e shikojnë drejtpërdrejtë vlerat apo pasoja më mirë se një politikan apo analist apo gazetari. E shikojnë drejtpërdrejtë se çfarë vjen nga lehtësimi i dënimit për të burgosurit ende nuk kemi dëgjuar një deklaratë të tyre. Ne ende nuk dimë se cili është impaktin të drejtësinë shqiptare. E shoh të paarsyeshme debatin mes Çuçit dhe Dumanit dhe dua të vazhdohet dhe në vazhdim.

-Pse Ambasada Amerikane reagon sot duke thënë jemi krenar për SPAK-un?

Për t’i dhënë më shumë pushtet SPAK-ut, për t’i dhënë më shumë mbështetje kur SPAK-u replikon me politikën dhe ambasada i jep mbështetje më të fortë që balanca të anojë më shumë me SPAK-u dhe jo nga politika. SHBA janë më të ndjeshme në debatet që zhvillon politika me SPAK-un. SPAK-u tani ka hyrë në një zonë të ‘minuar’, ka prekur të paprekshmen, ka shkuar shumë larg dhe mund të ndodh që vendimet politika ta dekurajojnë punën e SPAK-ut dhe të bëjnë prokurorët të ndjehen të pafuqishëm. Një nga vendimet që mund ta bëjnë SPAK-un të dekurajuar, votimi që u bë në lidhje me konfliktet e interesit duke mos e dërguar çështjen në Gjykatë Kushtetuese. SPAK-u është i përfshirë drejtpërdrejtë në këtë çështje duke arrestuar dhe kryetarin e Bashkisë Himarë, të cilin e ka akuzuar për falsifikim të disa dokumenteve të një trualli që ka qenë tokë bujqësore më parë dhe u përdor për ta marrë për tokë për investim strategjik. Është çështje e lidhur direkte juridikisht me çështjen që u votua në Parlament. Dhe kur Parlamenti i thotë GJK që këtë çështje nuk ta jap, lexohet si një mesazh indirekt.

-Çfarë faktesh mendon TIMS-i të nxjerr në pah në një moment kur çështja është duke u hetuar dhe ka masa sigurie për z. Muça që është në arrest shtëpiak?

Çështja TIMS është më e rëndësishme se një tender në Himarë, apo në minierën e Bulqizës pasi në sistemin TIMS preken interesat e 3 milion shqiptarëve, të diplomatëve, ka informacione sensitive të klasifikuara ‘sekret’. Në sistemin TIMS nuk regjistrohen vetëm hyrje-daljet e qytetarëve shqiptarë jashtë kufirit, ka informacione ku lidhen aksionet e policisë, mbi ngjarjet kriminale, jo kriminale që lidhen me përgjimet. Përvetësimi i TIMS i paautorizuar është një rrezik që dëmton interesat e sigurisë kombëtare, interesat e shoqërisë civile, e rendit publik. Dhe qëllimi për t’i përvetësuar mund të ndodh për tre arsye:

1. Për të shantazhuar çdo individ (Nëse çdo deputet ka dalë me të dashurën jashtë vendit, e publikon dhe e hedh në erë në çështje morale, familjare, pasi zbulon lëvizjet. Ta përdorësh për shantazh politik.
2. Për interesat mafioze, pasi bandat kriminale mund të paguajnë deri në 2 mln euro për të marrë informacion për aksionet e policisë se cila bandë kriminale, familje mafioze për përgjohet.

3. Për qëllime agjenturash dhe spiunazhi. Shërbimi rus mund të kërkojë informacion për diplomatët dhe agjentët amerikan, britanik, gjerman që hyjnë e dalin në Shqipëri. Kush ka shoqëruar grupet e delegacionit si të Macron, Blinken, kancelarit Scholz në Shqipëri. Kush janë agjentët e kundër zbulimit që bëjnë 2-3 punë shërbime në Shqipëri. I dërguari me punë i SHBA në Shqipëri i ka shkuar në zyrë kryeministrit dhe min. Të Brendshëm për t’ju thënë sa e ndjeshme është çështja. Është detyrë e Gjykatës të vërtetojë nëse janë nxjerrë këto të dhëna dhe cili është qëllimi. Është për të pritur pasi dëmi është dhe më i madhe se hakerat iranianë pasi apo kanë hyrë në të dhëna personale. Ndërsa sistemi TIMS, mban informacione më të klasifikuara, që ‘iraniani’ shqiptar mund t’i sjell më shumë dëm vendit, që mund të përdoret nga organizatat kriminale që duan informacione për aksionet e policisë si Camorra, Ndrangheta, që kanë investuar deri në 1 mld euro për pastrimin e parave dhe duan të dinë informacion nëse Policia Shqiptare apo INTERPOL-i mund të dijë informacione për to, duan të investojnë në një terren që të jenë të sigurtë. Spiunazhi mund t’i sjellë një dëm shumë të madh publik Shqipërisë dhe shërbimeve inteligjente partnere si shërbimit amerikan, britanik, italian, e gjerman për shkak të hyrje-daljeve në një vend të NATO-s.

-Pse gjithë ky interes i madh i opozitës për ta vënë në funksion komisionin Hetimor kur sjell kaq shumë dëme? Për presion politik ndaj kundërshtarëve?

Komisioni është krejt i arsyeshëm. Nga njëra anë kemi një çështje që po hetohet nga Prokuroria për ndërhyrjen e drejtorit të IT-së në TIMS, Ervin Muçës që ka hyrë natën duke përdorur kodin e një koleges së tij dhe mund të ketë përvetësuar informacionet në sistem për qëllime të arsyeshme. Nga ana tjetër kemi një Komision Hetimor, do kish qenë e arsyeshme të mos mbivendoseshin ndaj njëra-tjetrës, për të mos dëmtuar hetimin nga Komisioni Parlamentar. Do ishte mirë të Komisioni Hetimor Parlamentar të bashkërendonte veprimet me Prokurorinë e Tiranës që ka në kompetencë hetimin ndaj kësaj çështje. Do ishte mirë që këtij hetimi t’i shkohet deri ën fund dhe politika të lërë të qetë Prokurorinë të bëj punën e saj hetimore.

-Protestat para bashkisë së Tiranës, të paralajmëruara, çfarë sjellin dhe për çfarë konkretisht zhvillohen për sa kohë SPAK ka marrë ato vendime që ka marrë?

Opozita ka 11 vite që është në opozitë dhe është hera e parë që proteston para Bashkisë. Nuk mendoj që janë tenderat e drejtorëve që e detyruan opozitën të protestojë para Bashkisë, por opozita po arratiset nga kauzat më thelbësore. Opozita po proteston para Bashkisë sepse po bën paqe me qeverinë, iku nga Kryeministria te Bashkia, nga protestat kundër Ramës i zhvendosi kundër Veliajt, nga protestat që kërkon të rrëzojë qeverinë po kërkon të rrëzojë dy drejtori. Janë qesharak komplet.

-Si t’u duk vizita e Ramës në Paris?

Deduksioni i të gjithë kësaj panorame është se Franca e konsideron Shqipërinë si kryeqendrën e Ballkanit Perëndimor. Një nga vendet më skeptike për rolin politik të Shqipërisë dhe pozicionin gjeopolitik të saj në rajon i është përafruar pozicionit të Gjermanisë, Anglisë dhe SHBA-së. Nëse kemi pasur një vend që na shihte me skepticizëm, na shihte në një lloj distance për shkak të turbulencave që kemi pasur ne partneritet historik që kemi pasur me to, tashmë Parisi e konsideron Tiranën në qendër të Ballkanit Perëndimor për shkak të rëndësisë gjeopolitike, diplomatike, ushtarake dhe për shkak të pozicionit të qartë të Shqipërisë si çelësi i stabilitetit politik në rajon. Franca tashmë dhe Macron kanë një pozicion të qartë të afërsisë të kryeministrit Rama. Nuk ka qenë disa vite më parë, Macron ka pasur rezervat e veta ndaj Tiranës dhe qeverisë shqiptare por qartazi njësoj si Scholz, Meloni, njësoj si Roma apo Berlini, si Londra apo Uashingtoni. Tashmë ka një afërsi shumë të fortë dhe mendoj se tani ky është kthimi i vizitës së parë zyrtare që bëri Macron në Tiranë. Mendoj që Franca po konsiderohet si mbështetësi dhe avokati kryesor për çështjet shqiptare, edhe projekti për zgjidhjen e dialogut Kosovë-Serbi ka emrin projekti ‘Franko-Gjerman’, është bashkautorë me Gjermaninë për zgjidhjen e konfliktit. Franca ka hequr dorë nga bllokimi që i ka bërë Shqipërisë dhe Kosovës në procesin e integrimit në BE. E reja është se Macroni është negociatori kryesor për të shuar debatet dhe tensionet mes Shqipërisë dhe Greqisë për shkak të marrëdhënieve të forta që ka me Mitsotaqisin dhe marrëdhënieve historisë që ka Greqia ka me Francën. Franca po luan një ndikim të fortë që Greqia të mos bllokojë Shqipërinë, në fazat e procesit të integrimit në BE, si dhe të ulë tensionet mes Tiranës dhe Athinës. Franca është duke mbajtur hapur krahun e Tiranës që kanë ndodhur në rajon përfshirë dhe debatin Shqipëri-Greqi për çështjet e fundit. Po luan një rol suportues, roli advokues i Francës është i dukshëm dhe nëse e shohim pritja në sarajet presidenciale është jo si një lider shqiptar. Shqipëria ka qenë si një vend i dorës së tretë për Francën, tashmë Rama pritet si një lider rajonal dhe personi më i afërt për Parisin dhe për faktin se kryeministri ka studiuar në Francë dhe Franca është shumë e ndjeshme ndaj personave që janë shkolluar apo kanë jetuar në Francë dhe shndërrohen në një lider të një vendi./ SOT

Publikuar nga Publik Media