E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
INVESTIGIM / Rrjeti okult që gllabëron paratë publike:
Investigim

INVESTIGIM / Rrjeti okult që gllabëron paratë publike:

Arbër Teqja, nyja që lidh lavanderitë spitalore, sterilizimin, riciklimin dhe kullat mbi 100 milionë euro

Një hulumtim i thelluar i dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), bilanceve financiare, kontratave të prokurimit publik dhe regjistrave të aksionerëve, zbulon një aferë gjigante korruptive. Dokumentacionet e analizuara dëshmojnë një skemë të mirëfilltë transaksionesh të dyshimta me vlera simbolike, kontrata publike qindra milionë lekë dhe një zinxhir kompanish ku të njëjtët emra shfaqen vazhdimisht në mënyrë të përsëritur.

Ky rrjet i shtrirë në sektorin e lavanderive spitalore, riciklimit të mbetjeve mjekësore, sterilizimit dhe ndërtimit ka si pikë qendrore dhe nyje lidhëse shtetasin Arbër Teqja. Gjatë viteve, Teqja rezulton administrator ose aksioner në disa kompani kyçe, të lidhura ngushtë me individë dhe subjekte që kanë përfituar miliona euro nga buxheti i shtetit.

Nga “Servizi Italia” te “Sanitary Cleaning”: Gjurmët e Koncesionit të Sterilizimit

Dokumentacioni financiar i gjigantit italian SERVIZI ITALIA S.P.A zbulon pjesëmarrjen e saj direkte në dy kompani shqiptare: SANISERVICE SHPK (kompania koncesionare e sterilizimit, e përfshirë në hetime nga SPAK) dhe SANITARY CLEANING SHPK.

Kronologjia e dyshimtë e SANITARY CLEANING (themeluar në dhjetor 2014 nga Fatos Deliu) ngre pikëpyetje të forta:

 Shkurt 2015: Administrator me prokurë emërohet Olsi Zeqiri, i punësuar njëkohësisht te DEJA TURIZEM (pronare e resortit BLUMARE në Spille).

 2015–2018: Kompania shtrin tentakulat brenda spitaleve, duke hapur adresa dytësore brenda një spitali privat në Tiranë dhe pranë Spitalit Rajonal të Durrësit.

 Maj–Korrik 2018: Fatos Deliu shet papritur 60% të aksioneve te kompania holandeze BERIN B.V për vetëm 12 mijë euro dhe 40% e mbetur te SERVIZI ITALIA S.P.A.

Shitja e këtyre aksioneve me vlera qesharake u bë në një kohë kur kompania po gjeneronte xhiro dhe fitime të jashtëzakonshme:

Xhiro nga viti 2017 deri ne vitin 2021

Deri në vitin 2022, kompania kishte 74 milionë lekë fitim të pashpërndarë dhe kryente transaksione të dyshimta me Spitalin e Traumës, spitalin privat dhe shoqërinë DEJA TURIZEM, ndërsa si furnitorë kryesorë shërbenin VIDEL SHPK, RIKI FABRICS dhe SARDI 2011. Nga buxheti i shtetit, SANITARY CLEANING ka përfituar plot 251.684.313 lekë për kontrata lavanderie me Spitalin e Beratit, të Traumës dhe Spitalin Ushtarak.

Lëvizjet e Panikut Pas Arrestimit të Ilir Rrapajt

Më 16 gusht 2023, SPAK arreston Ilir Rrapaj për aferën e sterilizimit. Më pak se një muaj më pas, më 13 shtator 2023, SERVIZI ITALIA nxiton të shesë 40% të aksioneve të saj te Fatos Deliu dhe Bashkim Jata për 100 mijë euro. Skema tyretzohet më tej në dhjetor 2023: Deliu i kalon 20% kompanisë AMPHORA HOLDING (e themeluar rishtazi nga Adriana Jata), ndërsa holandezët e BERIN B.V ia shesin 60% të aksioneve të tyre kompanisë VIDEL SHPK për 100 mijë euro.

VIDEL SHPK zotërohet aktualisht në 96% nga AMPHORA HOLDING dhe 4% nga Musa Basha (i cili rezulton se ka investuar mbi 100 mijë euro, ndonëse në QKB rezulton vetëm një rritje kapitali prej 2.4 milionë lekësh nga Adriana Jata), duke krijuar hije të dendura dyshimi mbi burimin e vërtetë të kapitalit.

“Eco Riciklim” dhe Hyrja në Skenë e Arbër Teqjas

Aty ku skema merr përmasa të qarta të një pastrimi të mundshëm parash është kompania ECO RICIKLIM, e themeluar në vitin 2016 nga Fatos Deliu.

Aksionet e kësaj kompanie kaluan fillimisht te Ervin Meçe (30%) dhe Adriatik Mema (19% – i punësuar thjesht si mirëmbajtës kaldajash në një spital privat). Në dhjetor 2020, një person i tretë që zotëronte 51% të aksioneve, ia shet ato Arbër Teqjas për shumën qesharake prej vetëm 5 mijë eurosh. Kjo ndodh në të njëjtin vit kur ECO RICIKLIM kishte realizuar një fitim neto prej rreth 94 milionë lekësh!

Në prill 2022, Teqja blen edhe 19% të aksioneve të kaldajistit Adriatik Mema për vetëm 50 mijë lekë. Me një normë fitimi të frikshme që varion nga 50% deri në 60%, kjo kompani ka gllabëruar nga Thesari i Shtetit dhe prokurimet publike (periudha 2019-2024):

 Mbi 57 kontrata publike.

 Rreth 473 milionë lekë vlerë kontratash.

 Rreth 463 milionë lekë pagesa direkte të arkëtuara nga Thesari.

Nga Tenderat e Shëndetësisë te Kullat 56-Katëshe: “Forever Construction”

Arbër Teqja nuk është thjesht një emër në letrat e riciklimit të mbetjeve spitalore. Në vitin 2021 ai shfaqet si një “super-administrator” në tre subjekte të fuqishme njëkohësisht: DIAL-ALB, Equos Resort dhe Forever Construction.

Pikërisht përmes Forever Construction, paratë e fituara nga shëndetësia publike duket se transferohen në sektorin e ndërtimit të luksit. Kompania u themelua në vitin 2018 nga Asllan Fetiu, i cili rezultonte thjesht një punonjës pranë spitalit privat me pagë 1.800.000 lekë dhe administrator i Medical Recycling. Pasi Fetiu largohet, në maj 2020 drejtimin e merr në fshehtësi Arbër Teqja.

Pavarësisht se kompania nuk kishte asnjë aktivitet domethënës ekonomik më parë, me ardhjen e Teqjas ajo përfiton menjëherë dy leje gjigante ndërtimi në Tiranë, vlera e të cilave tejkalon 100 milionë euro:

1. Kompleksin gjigant në truallin e UET, ku përfshihet një kullë 56-katëshe.

2. Projektin e njohur si godina në formë dore në kryqëzimin e rrugëve “Mine Peza” dhe “Don Bosko”.

Enigma e “Medical Recycling” dhe Transaksionet me Gazmend Demin

Një tjetër anomali ekonomike që plotëson këtë skemë është kompania Medical Recycling (e themeluar në vitin 2014, kaluar në pasiv në vitin 2015 dhe e riaktivizuar në vitin 2016 pasi 100% e aksioneve i kaluan pronarit të një spitali privat).

Në tetor 2016, kjo kompani blen shoqërinë Deanda 1 nga biznesmeni Gazmend Demi për 38 milionë lekë, por duke marrë përsipër plot 5.7 milionë euro detyrime ndaj palëve të treta. Çuditërisht, në vitin 2021, Gazmend Demi e riblen të njëjtën kompani me të njëjtën vlerë (38 milionë lekë), duke ngritur pikëpyetje të forta mbi logjikën ekonomike dhe mënyrën se si u “avulluan” apo u trajtuan miliona euro detyrime financiare.

Pyetjet që Presin Prokurorët e SPAK

Ky investigim ngre pikëpyetje të rënda që kërkojnë me urgjencë një verifikim të thelluar institucional:

Pse kompani që gjenerojnë miliona euro fitime nga paratë e taksapaguesve transferohen te Arbër Teqja dhe të tjerët për vlera simbolike 5,000 euroshe?

Cili është burimi i vërtetë i kapitaleve që financojnë dy kullat me vlerë mbi 100 milionë euro të “Forever Construction”?

A kemi të bëjmë me një skemë të pastrimit të parave ku fondet e përfituara nga koncesionet dhe tenderat e shëndetësisë publike (sterilizim, lavanderi, riciklim mbetjesh) investohen në ndërtimet e luksit në Tiranë?

Pse institucionet ligjzbatuese dhe ato të kontrollit të pasurisë kanë lejuar këtë konflikt të hapur interesi dhe lëvizje të dyshimtë kapitalesh pa kryer asnjë verifikim?

Në të gjithë këtë vorbull kompanish, emrash fiktivë (kaldajistë e punonjës spitalesh) dhe transaksionesh miliona eurosh, Arbër Teqja mbetet nyja kryesore, personi që mban çelësat e këtij rrjeti okult që ka lidhur bashkë shëndetësinë dhe kullat e ndërtimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.