Iran, bomba mbi centralin bërthamor të Teheranit

Irani ka nisur një valë të re sulmesh, me raportime për raketa që godasin Izraelin qendror.

Ndërkohë Izraeli thotë se ka kryer një numër sulmesh kundër vendeve të infrastrukturës bërthamore iraniane.

Në Izrael, vala e raketave iraniane ka goditur qytete të mëdha si Haifa, Tel Aviv dhe Jeruzalemi, ku janë dëgjuar shpërthime të forta. Shërbimet emergjente raportojnë se mbi 10 persona janë plagosur në zona të ndryshme të vendit, ndërsa Izraeli sulmoi ndërtesën e Ministrisë së Jashtme në Teheran.

Më herët, ushtria izraelite goditi një avion ajror iranian që po furnizohej me karburant në Aeroportin e Mashhadit, në atë që pretendon të jetë sulmi me rreze më të gjatë veprimi që ka kryer që nga fillimi i operacionit të saj.

Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli vrau shefin e inteligjencës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, Gjeneral Brigade Mohammad Kasemi dhe zëvendësi i tij, Gjeneral Hassan Mohaqiq.

Ministria e Shëndetësisë iraniane bën me dije se sulmet izraelite që prej së premtes kanë shkaktuar të paktën 224 viktima në gjithë vendin. Në Teheran është raportuar trafik i rënduar, pasi qytetarët përpiqen të largohen nga kryeqyteti. Po ashtu, televizioni shtetëror iranian konfirmoi vrasjen e shefit të njësisë së inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) gjatë një sulmi ajror të dielën.

Iran International raporton se Ajatollah Ali Khamenei “u zhvendos në një bunker nëntokësor në Levizan, në verilindje të Teheranit, menjëherë pasi Izraeli filloi sulmet e tij ndaj Teheranit të premten”. Thuhet se të gjithë anëtarët e familjes së Khameneit, përfshirë djalin e tij Mojtaba, janë me të.

Ndërkohë, presidenti i SHBA Donald Trump tha në rrjetin social Truth, se Irani dhe Izraeli duhet të arrijnë një marrëveshje. Ai tha se së shpejti mund të ketë paqe midis këtyre dy vendeve.

‘Irani dhe Izraeli duhet të bëjnë një marrëveshje, dhe do të bëjnë një marrëveshje. Do të kemi paqe, së shpejti, midis Izraelit dhe Iranit! Shumë telefonata dhe takime po zhvillohen tani’, tha ai. 
Sipas La Repubblica, sulmet e Izraelit u përqendruan në stadiumin Azadi, Chital, Pazarin e Madh Alaeddin, Taleghani, Niavaran, sheshin Fatemi (ku ndodhet Ministria e Brendshme) dhe zonat pranë Parlamentit në Iran.

Trump thuhet se ka refuzuar një plan të kohëve të fundit të propozuar nga Izraeli për të eliminuar udhëheqësin Suprem të Iranit, Ali Khamenei. Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi në një intervistë për Fox News se “ndryshimi i regjimit në Iran mund të jetë një nga rezultatet” e këtij konflikti.

Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi se 13 persona janë vrarë gjatë sulmeve iraniane që nga e premtja, ndërkohë që mbi 340 të tjerë janë plagosur. Mes viktimave është edhe një djalë 10-vjeçar.

Në sulmin gjatë natës së djeshme ndaj Izraelit morën pjesë edhe rebelët Houthi të Jemenit, të cilët konfirmuan se janë koordinuar me Teheranin dhe ka qëlluar dy raketa drejt Tel Avivit. Tre dronë raportohet se u lëshuan në një bazë amerikane në Irak pas sulmeve izraelite ndaj Iranit, por u rrëzuan.

Ndërkohë, Irani njoftoi se ka arrestuar dy individë të dyshuar si anëtarë të agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad në provincën Alborz, ndërsa po përgatisnin bomba, kurthe shpërthyese dhe pajisje elektronike.

Ministri i Jashtëm izraelit, Izrael Katz paralajmëroi vazhdimin e sulmeve, duke thënë se “Teherani po shndërrohet në Bejrut”. Hapësira ajrore izraelite do të mbetet e mbyllur edhe sot, njoftuan autoritetet e aeroportit të Tel Avivit. Kalimet tokësore me Jordaninë dhe Egjiptin mbeten të hapura.

IDF njoftoi se në më pak se tre ditë, kanë sulmuar më shumë se 170 objektiva dhe mbi 720 objekte ushtarake të Iranit. Vetëm gjatë natës së kaluar, u shënjestruar 80 objektiva, duke përfshirë selinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit, selinë e projektit bërthamor Spand dhe objektiva të tjera.

Publikuar nga Publik Media