Ish-banori i Big Brother akuzohet për mashtrim, përfitoi telefona e para
Ish-banori i “Big Brother Albania”, Elton Tozaj, është vënë në qendër të akuzave për mashtrim, pasi dyshohet se është prezantuar në mënyrë të rreme si punonjës i televizionit Top Channel për të përfituar nga biznese të ndryshme.
Sipas informacioneve të bëra publike, Tozaj nuk ka qenë asnjëherë pjesë e stafit të brendshëm të Top Channel. Megjithatë, ai dyshohet se ka përdorur emrin e televizionit dhe lidhjet e pretenduara me drejtues të tij për të krijuar besim te subjektet tregtare dhe për të siguruar përfitime materiale. Raste të ngjashme janë trajtuar më herët edhe nga emisioni investigativ “Fiks Fare”.
Duke shfrytëzuar daljet e tij si komentues i zhvillimeve në “Big Brother VIP”, ai u premtonte bizneseve hapësira reklamuese gjatë spektaklit televiziv. Në disa raste, sipas burimeve, ai kërkonte pagesa në emër të stafit të televizionit, duke përdorur edhe komunikime përmes telefonit për të finalizuar marrëveshje të pretenduara.
Një nga rastet e denoncuara është raportuar në qytetin e Korçës. Burime lokale bëjnë me dije se në një dyqan të shitjes së telefonave celularë ai ka marrë tre aparate “iPhone 17 Pro Max”, me një vlerë totale rreth 5.200 euro. Gjatë komunikimit me pronarin, dyshohet se është prezantuar si punonjës i Top Channel dhe ka përmendur emra drejtuesish të televizionit për të rritur besueshmërinë.
Rasti ka ngritur shqetësime mbi përdorimin e emrave të mediave të njohura për përfitime personale dhe mashtrime ndaj bizneseve. Ende nuk dihet nëse ndaj tij do të depozitohet kallëzim penal dhe nëse organet e drejtësisë do të nisin hetime zyrtare për këtë çështje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



