Ish-ministri i Ramës: Nuk e kuptoj si kemi mbijetuar si shtet!
Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), pas çështjes ku ish-drejtuesja e këtij institucioni, Vlora Hyseni, dyshohet se i ka dorëzuar informacione sekrete biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar në kuadër të dosjes “AKSHI”.
I ftuar në emisionin “Off the Record”, Lleshaj e sheh zgjidhjen e situatës te vullneti politik, ndërsa përballë zhvillimeve të tilla shprehet se mbetet edhe shpresa te Zoti.
Lleshaj: “Zgjidhje ka përherë nëse ka vullnet”
Duke folur për situatën dhe problematikat që lidhen me funksionimin e institucioneve të shtetit, Lleshaj solli në vëmendje historinë e Shqipërisë dhe mënyrën se si vendi ka kaluar periudha të vështira.
Ai iu referua edhe një shprehjeje të njohur të Gjergj Fishtës, për të ilustruar atë që e konsideron si mbijetesën e shtetit shqiptar edhe në rrethana të vështira.
“Zgjidhje ka përherë nëse ka vullnet. Është një shprehje e Fishtës ‘Zoti ka me rujt Shqipërinë për inat të shqiptarëve’. Ne kemi një marrëdhënie të tillë me zotin që na ruan përherë dhe çuditërisht na ka ruajtur përherë dhe kur kemi punuar kundër saj. Kujto vitin 1913 me ato lëvizjet që luftonin shqiptarët kundër pavarësisë së saj.
Kujto vitin ‘97. Dhe çuditërisht kemi dalë. Nuk e shpjegoj dot në mënyrë racionale këtë mbijetesën tonë se në mënyrë racionale do kishim humbur deri sot. Ne zoti na ruan edhe kur punojmë keq, na ka ruajtur zoti. Edhe këtë e besoj unë që Zoti do na ruajë Shqipërinë edhe për inat të shqiptarëve që punojnë kundër saj”, tha ish-ministri Lleshaj në “Off the Record”.
“Lehtësia me të cilën jepen postet publike duhet të ndryshojë”
Sipas Lleshajt, një prej çështjeve që kërkon ndryshim lidhet me mënyrën se si njerëz të paprovuar përfundojnë në poste publike me përgjegjësi të larta.
Ai argumentoi se përpara marrjes së një detyre publike duhet të merret në konsideratë e kaluara e personit dhe çdo rrezik që mund të sjellë emërimi i tij në një pozicion me përgjegjësi.
“Lehtësia me të cilat trajtojmë çështjet dhe lehtësia që dorëzojmë postet publike në duar krejtësisht të panjohura, të paprovuar, duhet të ndryshojë, kjo lehtësi na kushton shumë. Nuk mund të lejohet të cedojë. Kur ti vjen në një post publik duhet të lësh peng diçka, që është e kaluara jote. Duhet të jesh me një të kaluar të provuar, ku dëmi yt kolateral është i menaxhueshëm. Kur shkon lart dëmi është katastrofik.”
“Te ministri, deputeti dhe drejtuesit e agjencive të mëdha, risku duhet të jetë zero”
Ish-ministri e shtriu këtë argument edhe te funksionet më të larta shtetërore, duke theksuar se në pozicione të tilla nuk duhet të ketë hapësirë për rreziqe që mund të mos menaxhohen.
“Këtu nuk duhet të kesh asnjë risk, te ministri deputeti, drejtuesit e agjencive të mëdha risku duhet të jetë zero. E kundërta nuk menaxhohet më.”
Lleshaj foli edhe për ndikimin që sjellja e drejtuesve mund të ketë te vartësit dhe mënyrën se si standardet e vendosura në krye të një institucioni reflektohen më poshtë në hierarki.
“Një punonjës kur sheh cedimet e shefit të tij katastrofike ndjehet keq dhe unë besoj që vartësit imitojnë shefin e tyre e sillen si ai. Nëse shefi është kërkues e korrekt ashtu janë të gjithë”.
Deklaratat e Sandër Lleshajt vijnë në një moment kur zhvillimet rreth SHISH-it, Vlorës Hyseni dhe dosjes “AKSHI” kanë sjellë në vëmendje çështjen e sigurisë së informacionit shtetëror, përgjegjësive institucionale dhe mënyrës së përzgjedhjes së personave që marrin poste me ndjeshmëri të lartë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



