E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Alarmi i ish-ministrit të Ramës: Inteligjenca kombëtare jashtë kontrollit
Lajme

Alarmi i ish-ministrit të Ramës: Inteligjenca kombëtare jashtë kontrollit

Ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kërkon reformim të thellë të SHISH dhe paralajmëron për pasojat që mund të ketë hetimi ndaj drejtueses së institucionit. Sipas tij, problemi nuk është vetëm penal, por edhe institucional dhe kërkon forcimin e mekanizmave të kontrollit.

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, e ka cilësuar si të paprecedentë situatën e krijuar rreth Shërbimit Informativ të Shtetit pas masës së sigurisë ndaj drejtueses së institucionit.

Duke folur në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN, Lleshaj tha se ngjarja nuk mund të trajtohet si një procedim i zakonshëm penal, duke kërkuar një reagim më të gjerë institucional.

“Ne nuk duhet ta marrim lehtë këtë që po shohim, këtë që po zhvillohet ndërkohë që ne flasim. Pavarësisht se zëra të ndryshëm e përkthejnë në trajta nga më të ndryshmet. Disa e përkthejnë si një fitore të madhe, si një arritje të madhe; disa e përkthejnë si një gjëmë të madhe; disa ndoshta e shohin sikur nuk ka ndodhur gjë. Por kjo është një situatë e cila nuk mund të neglizhohet si zakonisht. Është një situatë e veçantë, sepse kemi të bëjmë me diçka të paprecedentë”, deklaroi ai.

“Ose është çmendur shefja e Shërbimit, ose SPAK-u”

Lleshaj përdori tone të forta teksa foli për përplasjen mes SHISH dhe SPAK, duke e konsideruar rastin një sinjal për probleme më të thella në sistemin e inteligjencës.

“Ndalimi i Shefit të Shërbimit Informativ është një ngjarje e paprecedentë. Ngado që ta marrësh, diçka është çmendur këtu: ose është çmendur shefja e Shërbimit Informativ ose është çmendur SPAK-u, ose janë çmendur të dy. Por kjo gjë nuk është diçka që mund të kalojë me fjali të thjeshta dhe të përsëritura. Është një gjëmë e madhe. Shefi i Shërbimit Informativ të Shqipërisë është arrestuar për bashkëpunim me banda kriminale. Të paktën ky është dyshimi i Prokurorisë së shtetit shqiptar dhe i një gjykate shqiptare”, tha Lleshaj.

Ai theksoi se përgjegjësia penale duhet të trajtohet nga organet e drejtësisë, ndërsa shteti duhet të fokusohet te pasojat që situata mund të ketë shkaktuar brenda strukturave të inteligjencës.

“Kjo nuk është vetëm çështje penale. Është reduktim deri në nivelin e papërgjegjshmërisë ta quajmë vetëm penale. Kjo është në radhë të parë një çështje e shtetit, e politikës, e administratës, e moralit politik, e moralit shoqëror. Ka shumë dimensione të cilat duhen marrë në konsideratë. Më imediatja është të ruajmë Shërbimin. Rëndësia e dorës së parë sot është që të ndalojmë dëmin e mëtejshëm, sepse është konstatuar një çarje e madhe në sistemin e inteligjencës kombëtare”, u shpreh ai.

Lleshaj: Duhet verifikuar nëse ka rrjedhur informacion

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me informacionet konfidenciale që mund të jenë komprometuar.

“Pastaj duhet verifikuar deri ku ka shkuar dëmi. Duhet të dimë që Shërbimi jeton nga konfidenca, nga sekreti. Në qoftë se ne kemi pasur një shërbim prej të cilit kanë rrjedhur informacionet, besoj mund të kenë rrjedhur dhe informacionet për bashkëpunëtorët e tij, që do të ishte një goditje fatale për gjithë sistemin e sigurisë dhe të inteligjencës kombëtare. Duhet parë niveli i dëmit dhe duhet filluar puna për riparimin e tij”, deklaroi ish-ministri.

“Reforma e SHISH është dashur para 30 vitesh”

Për Lleshajn, problematikat e institucionit nuk lidhen vetëm me zhvillimet e fundit. Ai kërkoi një reformim të plotë të kuadrit ligjor mbi të cilin funksionon SHISH.

“Duhet një reformim dhe është dashur jo sot, por është dashur para 30 vitesh. Nuk është bërë. Shërbimi Informativ i shtetit shqiptar është themeluar me një ligj në vitin 1998, përpara se Shqipëria të bëhej me Kushtetutën që ka sot. Ligji i Shërbimit Informativ të Shtetit bazohet në dispozitat kushtetuese të 1991, që ishin rrënojat e Kushtetutës së 1976-ës të Enver Hoxhës. Ky ligj i Shërbimit nuk ka lidhje me Kushtetutën tonë. I referohet një Kushtetute tjetër, të rrëzuar, dhe nuk është prekur kurrë”, tha ai.

Kërkon më shumë kontroll mbi SHISH

Ish-ministri ngriti gjithashtu shqetësime për mekanizmat e kontrollit mbi institucionin e inteligjencës.

“Shërbimi ynë Informativ praktikisht është një shërbim që nuk kontrollohet nga askush. Ndërkohë që një shërbim inteligjent i një vendi normal demokratik, aq më tepër të një vendi të NATO-s, është institucioni më i kontrolluar i vendit, që kontrollohet nga disa nivele dhe nga disa këndvështrime. Madje, edhe publiku në shërbimet moderne ka të drejtën e kontrollit përmes përfaqësuesve publikë, sigurisht të aprovuar nga Kuvendi”, theksoi Lleshaj.

Sipas tij, duhet të ketë kontroll parlamentar, administrativ dhe publik, në mënyrë që veprimtaria e shërbimit të jetë brenda kufijve ligjorë.

“Modelet e vendeve demokratike janë njëlloj dhe parimi numër një i tyre është përgjegjshmëria, llogaridhënia, kontrolli parlamentar, kontrolli administrativ, kontrolli publik. Pra, disa nivele kontrolli në mënyrë që Shërbimi të qëndrojë brenda hullive ligjore dhe të mos kompromentojë të drejtat e njeriut në funksion të sigurisë, sepse gjithmonë ka një balancë midis sigurisë dhe lirisë individuale”, tha ai.

Në përfundim, Lleshaj paralajmëroi se rasti i fundit mund të jetë vetëm një prej episodeve të zbuluara, duke e lidhur këtë me mungesën e mekanizmave të kontrollit.

“Këto gjëra nuk janë trajtuar dhe është nevojë imediate, kombëtare që këto gjëra të zgjidhen, sepse ajo që ndodhi është vetëm një episod i radhës që është kapur, që mund të ketë ndodhur dhe 100 herë të tjera dhe nuk është kapur”, përfundoi Lleshaj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.