Ishin shpallur në kërkim, arresohen 2 persona në Durrës
Policia e Shtetit ka finalizuar në Durrës operacionin ndërkombëtar të koduar “Fury”, i cili çoi në arrestimin e dy personave të konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për një sërë veprash të rënda penale.
Sipas policisë, dy të arrestuarit kërkoheshin për akuza që lidhen me vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe veprimtari kriminale në kuadër të një organizate kriminale. Ata u lokalizuan dhe u ndaluan në Durrës pas një operacioni të koordinuar mes autoriteteve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, partnerët amerikanë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) pranë ambasadave të SHBA-së në Tiranë dhe Shkup, si edhe me autoritetet ligjzbatuese të Maqedonisë së Veriut.
Në pranga përfunduan M. Xh., 26 vjeç, lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, lindur në Norvegji. Për të dy, INTERPOL kishte lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për veprat penale të vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje dhe pjesëmarrjes në një organizatë kriminale në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kontrollit të ushtruar në momentin e arrestimit, policia u gjeti dy të kërkuarve dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara. Hetuesit dyshojnë se këto dokumente janë përdorur për të dalë nga territori i Maqedonisë së Veriut dhe për t’iu shmangur ndjekjes penale.
Në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë edhe Xh. R., 26 vjeç, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet se u kishte siguruar dy të kërkuarve dokumentet e falsifikuara të identifikimit.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Gjatë kontrollit në banesën e tij, uniformat blu sekuestruan edhe një sasi të vogël lënde narkotike të dyshuar Cannabis Sativa.
Sipas Policisë së Shtetit, operacioni “Fury” është rezultat i një bashkëpunimi disa mujor mes strukturave shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë, përmes ekipeve të përbashkëta hetimore dhe veprimeve të koordinuara operacionale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve, ndërsa Policia e Shtetit ka vlerësuar bashkëpunimin me partnerët amerikanë të DSS dhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut, të cilët kontribuuan në finalizimin me sukses të këtij operacioni.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



