Jet Ski futet mes pushuesve në Ksamil, e pëson keq nga policia
Një mjet lundrues Jet Ski është konstatuar duke lëvizur brenda perimetrit të sigurisë në plazhin e Ksamilit, duke krijuar rrezik për pushuesit që ndodheshin në det.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë evidentuar shkeljen gjatë kontrolleve në vijën bregdetare dhe kanë ndërhyrë për ndalimin e mjetit lundrues.
Pas përfundimit të procedurave administrative, Jet Ski është bllokuar, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi me inicialet P. S., është ndëshkuar me një gjobë prej 500 000 lekësh të rinj.
Rasti është evidentuar në kuadër të kontrolleve për respektimin e rregullave të lundrimit dhe të perimetrave të sigurisë, veçanërisht në zonat ku ka përqendrim të lartë pushuesish.
Pas ndërhyrjes, Policia e Vlorës ka përsëritur apelin ndaj drejtuesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që ushtrojnë aktivitete detare, duke kërkuar respektimin e rregullave dhe distancave të përcaktuara të sigurisë.
“Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese dhe subjektet që operojnë me to që të respektojnë me rigorozitet perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e pushuesve. Kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare, me fokus të veçantë garantimin e sigurisë së pushuesve dhe parandalimin e çdo shkeljeje që rrezikon jetën dhe sigurinë në det”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kontrollet në zonat bregdetare pritet të vijojnë gjatë sezonit veror, me fokus të veçantë te përdorimi i mjeteve lundruese pranë plazheve dhe respektimi i hapësirave të përcaktuara për sigurinë e pushuesve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



