Sekuestrohet hoteli me 5 kate pa leje në Ksamil
Prokuroria e Sarandës sekuestron hotelin pesëkatësh dhe një objekt tjetër 52.2 m², të dyshuar si ndërtime pa leje. Hetimet përfshijnë veprat penale të ndërtimit të paligjshëm dhe shpërdorimit të detyrës.
Prokuroria e Sarandës ka sekuestruar “Central Park Premium Hotel” në Ksamil, një objekt pesëkatësh i dyshuar si ndërtim pa leje, si dhe një ndërtesë tjetër njëkatëshe me sipërfaqe 52.2 metra katrorë, pranë hotelit.
Në kuadër të të njëjtit procedim penal, është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për shtetasin me inicialet K.P.
Masat janë kërkuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr. 522/2025.
Hetimet lidhen me veprat penale “Ndërtim i paligjshëm”, e parashikuar nga neni 199/a, pika 4, i Kodit Penal, si dhe “Shpërdorim i detyrës”, sipas nenit 248 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Sarandës po vijon veprimet hetimore për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe individualizimin e përgjegjësisë penale për secilin prej tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



