E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kandidati i SPAK  Tavani me probleme, nga pasuria te figura. Çfarë konstatoi KPK-ja
Lajme

Kandidati i SPAK Tavani me probleme, nga pasuria te figura. Çfarë konstatoi KPK-ja

Prokurori i Tiranës, njëherësh edhe kandidat për SPAK, Ndini Tavani, u përball me një sërë problemesh në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

 

 

Hetimi për të është kryer në të tria kriteret e rivlerësimit, në atë të pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës. Komisioni, gjatë hetimit administrativ, ka konstatuar se pamjaftueshmëri dhe mungesë të burimeve financiare për pasuritë e deklaruara nga Tavani, ndërsa nga raporti i Komisionit rezultoi me probleme edhe në pastërtinë e figurës.

Në lidhje me pasurinë, ILDKPKI kishte dorëzuar një raport me konstatimin se deklarimi i prokurorit ishte i saktë dhe në përputhje me ligjin. Por, Komisioni njoftoi në seancën e kësaj së hëne, se kishte kryer një hetim të thelluar për pasurit e subjektit.

PASURIA

Prokurori ka në pronësi një apartament në Tiranë, në vlerën 4 milionë e 500 mijë lekë. Burimi i të ardhurave janë pagat e tij dhe të bashkëshortes, si dhe të ardhurat e tij si avokat, para nisjes së detyrës. Për këtë pasuri, KPK konstatoi se deklarimet përputheshin dhe nuk ka probleme në vërtetësinë e tyre. Por dyshime janë ngritur në lidhje me burimin e kësaj pasuri. Të ardhurat e deklaruara nga avokatia, Komisionit i kanë rezultuar më pak se ç’ka deklaruar subjekti.

Komisioni është duke shqyrtuar dokumentet dhe pretendimet e subjektit për këtë pasuri. Pasuria e dytë që ka deklaruar është një makinë “Citroen”, e blerë në 2016 për 900 mijë lekë. Nga hetimi i kryer për këtë pasuri nuk janë konstatuar problematika për deklarimet, sa i takon mënyrës së blerjes dhe pagesën. Ndërkohë, nga ana financiare ka rezultuar se subjekti ka qenë në pamundësi financiare për kryerjen e këtij shpenzimi. Pasuria e tretë e analizuar është një tjetër makinë tip “Benz”, e blerë në vitin 2009 për 7 mijë euro, të shitur në vitin 2016.

“Nga hetimi dhe përllogaritjet e kryera, dukej se nuk ka pasur mundësi financiare për blerjen e kësaj pasurie, si dhe të përballojë shpenzimet e tjera”, tha relatorja. Në sitë kanë kaluar edhe të ardhurat e prindërve të prokurorit, si dhe investimi i tij në një banesë, në të cilën është bashkëpronar me ta.

FIGURA

Në lidhje me pastërtinë e figurës, fillimisht Drejtoria e Sigurimit t Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një raport me konstatimin se prokurori nuk ka kontakte të papërshtatshme dhe është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Por, në një raport të dytë, DSIK ka sjellë një raport ku konstatonte papërshtatshmërinë në detyrë dhe ngrinte dyshime edhe për shpërdorim detyre në lidhje me një çështje.

Vetë Ndini Tavani e ka konsideruar si tejkalim të kompetencave raportin e DSIK dhe që është bërë për rëndimin e pozitave të tij. Prokurori ka dorëzuar të gjithë dosjen dhe punën për këtë çështje, deri në dërgimin në gjyq. “KPK do të marrë parasysh shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti”, tha relatorja.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.