“Fito”, kishte ndërtuar bunker nëntokësor me palestër e bilardo.
Akuzohet se urdhëroi vrasjen e kandidatit për president, i kërkuar edhe në SHBA
I arratisuri më i kërkuar në Ekuador është kapur. Bosi i drogës Adolfo Macias Villamar, i njohur edhe me pseudonimin “Fito”, është kreu i Los Choneros, një bandë e fuqishme kriminale e cila fajësohet për transformimin e Ekuadorit nga një parajsë turistike në një vend me një nga nivelet më të larta të vrasjeve në rajon.
Ai dyshohet gjithashtu se ka urdhëruar vrasjen e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio në vitin 2023. Policia e gjurmoi atë në një bunker nëntokësor poshtë një shtëpie luksoze në qytetin e Mantës. Një zëdhënës i policisë tha se nuk pati të shtëna në operacionin e përbashkët 10-orësh nga policia dhe ushtria.
Një numër i madh oficerësh fillimisht monitoruan dhe rrethuan shtëpinë trekatëshe në lagjen Manta të Monterrey, në bregdetin ekuadoras. Kur ata sulmuan ndërtesën, gjetën një derë rrëshqitëse, e kamufluar që të dukej si pjesë e dyshemesë prej guri, nga e cila shkallët metalike të çonin në strehën nëntokësore të Fitos.
“Bunkeri” ishte i pajisur me ajër të kondicionuar, një krevat, një ventilator dhe një frigorifer. Shtëpia vetë kishte një palestër me një thes boksi dhe një dhomë lojërash ku ai mund të luante bilardo dhe futboll tavoline. Thuhet se Fito nuk bëri rezistencë dhe u transferua me aeroplan në qytetin portual të Guayaquil, ku ndodhen disa nga burgjet më të mëdha të Ekuadorit.
Pamjet e mbërritjes së tij në Guayaquil e tregojnë atë të veshur me pantallona të shkurtra, një bluzë dhe shapka, ndërsa po çohet nga oficerë të armatosur të sigurisë drejt një SUV të parkuar përpara se të transferohet në burgun e sigurisë maksimale të La Roca, shkruan BBC.
Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, vlerësoi forcat e sigurisë për kapjen e Fitos dhe tha se ai do të ekstradohej në SHBA, ku është akuzuar për kontrabandë kokaine. Fito u arratis nga burgu La Regional në Guayaquil në janar 2024 me ndihmën e të paktën dy rojeve, duke tërhequr vëmendjen e mediave globale. Kjo shkaktoi një valë trazirash vdekjeprurëse në burgje, në të cilat rojet u morën peng dhe të cilat e shtynë Noboan të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme.
Por Fito ishte famëkeq që para arratisjes së tij. Gjatë kohës që ishte në burg – ndërsa vuante një dënim me 34 vjet burg për vrasje dhe trafik droge – ai u ngrit në krye të bandës Los Choneros pasi udhëheqësi i saj i mëparshëm u vra. Nga pas hekurave, ai koordinoi aktivitetet e bandës, të cilat përfshijnë trafikimin e drogës dhe zhvatjen. Ai dyshohet gjithashtu se ka urdhëruar vrasjen e politikanit Fernando Villavicencio, i cili u qëllua për vdekje në një tubim elektoral vetëm disa ditë para zgjedhjeve të vitit 2023.
Nën udhëheqjen e Fito-s, Los Choneros krijuan lidhje me kartelin e fuqishëm Sinaloa të Meksikës, një aleancë që ekspertët thonë se ka çuar në përhapjen në Ekuador të taktikave të tmerrshme të përdorura zakonisht nga kartelet meksikane – të tilla si prerjet e kokave dhe gjymtimet. Arratisja e udhëheqësit të bandës në vitin 2024 ishte një goditje për qeverinë e Noboas. Udhëheqësi ekuadoras kishte marrë detyrën në nëntor 2023, pasi u zgjodh me një premtim për të luftuar fuqinë në rritje të bandave.