Karteli i sigurimeve: Si ANSIG, INSIG, Eurosig dhe SIGAL zhvatin qytetarët me lejen e shtetit
“Kam 4 muaj që pres dëmshpërblimin nga ANSIG, por marr vetëm premtime boshe. Kam bërë borxh për të rregulluar makinën. Askush nuk më jep përgjigje.”
Qytetar i dëmtuar në aksident në autostradën Tiranë-Durrës
Një qytetar i shqetësuar ka kërkuar ndihmën e redaksisë sonë pas një aksidenti automobilistik që ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës katër muaj më parë. Ai është goditur nga pas nga një vajzë e siguruar pranë kompanisë ANSIG dhe, pavarësisht faktit që dëmet e makinës janë vlerësuar në 400 mijë lekë të vjetra, kompania ende nuk e ka dëmshpërblyer. Qytetari tregon se ka rregulluar makinën me lekë borxh dhe për katër muaj me radhë ka marrë vetëm premtime boshe, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete.
Ai tregon se ka komunikuar disa herë me ANSIG, si online ashtu edhe pranë zyrës së tyre në afërsi të Tajvanit në Tiranë, por zgjidhja e problemit të tij vazhdon të shtyhet. Qytetari shprehet se është në hall të madh, pasi për shkak të vonesës në dëmshpërblim ka vështirësi financiare dhe kërkon që rasti i tij të bëhet publik për të sensibilizuar institucionet përkatëse dhe për të marrë më në fund atë që i takon me të drejtë. Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët denoncojnë kompaninë e deputetit socialist Anastas Angjeli, për mashtrime dhe zvarritje të procesit të dëmshpërblimit.
Ky është vetëm një nga mijëra raste ku kompanitë shqiptare të sigurimeve – të lidhura ngushtë me politikën – shkelin hapur ligjin dhe të drejtat e qytetarëve, pa asnjë pasojë. Rasti më i fundit vjen nga kompania ANSIG, e lidhur me deputetin socialist Anastas Angjeli, e cila prej katër muajsh refuzon të dëmshpërblejë një qytetar që është goditur në aksident nga një vajzë e siguruar pranë kësaj kompanie.
Edhe pse faji në aksident është i njohur, dëmi i llogaritur është vetëm 400 mijë lekë të vjetra dhe dokumentacioni është dorëzuar plotësisht, ANSIG i thotë qytetarit prej muajsh: “Sot do t’i hedhim lekët… nesër do flasim me financën… jemi në proces”. Me pak fjalë: zvarritje dhe mashtrim, në stilin klasik të “kap ça të kapësh”.
Një problem i përhapur: Jo vetëm ANSIG, por gjithë sistemi i sigurimeve është kthyer në skemë zhvatjeje
Ky nuk është një rast i izoluar. Nuk ka javë që qytetarët të mos ankohen për mashtrime nga të njëjtat emra që dominojnë prej vitesh tregun:
- SIGAL UNIQA Group Austria
- EUROSIG
- INSIG
- ATLANTIK
- SIGMA INTERALBANIAN
- dhe kompani të tjera më të vogla, të mbështetura nga politikanë ose oligarkë të afërt me qeverinë.
Në të gjitha rastet, qytetarët ankohen për të njëjtën skemë:
- Premtime pa fund për dëmshpërblim që nuk jepet kurrë.
- Vonesë të qëllimshme në dokumentacion, për t’i lodhur dhe larguar qytetarët.
- Dëmshpërblim më i ulët se dëmi real, pa shpjegim.
- Mohim i detyrimit financiar, edhe kur faji është i pastër dhe i pranuar.
- Presion që qytetari të dorëzohet, sepse “s’ke çfarë u bën”.
Kompani të kapura nga politika, shtet që mbyll sytë
Këto kompani nuk funksionojnë në një boshllëk. Ato janë pjesë e një sistemi të kapur nga klientelizmi politik, ku drejtuesit janë ose ish-zyrtarë shtetërorë, ose të afërt me qeverinë. Shembujt janë të shumtë:
- Eurosig është shpesh përfitues i kontratave publike dhe partner strategjik në projekte me ministri.
- SIGAL reklamohet çdo ditë në mediat kryesore, të cilat heshtin për çdo rast abuzimi.
- INSIG, njëherë shitur, njëherë privatizuar, njëherë ristrukturuar – por gjithmonë i paaftë për të përmbushur detyrimet.
Ndërkohë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është de facto joekzistent, i kontrolluar politikisht, dhe i paaftë për të ndëshkuar abuzuesit e mëdhenj.
Cili është rezultati? Mijëra qytetarë të vjedhur, të tallur dhe pa zgjidhje!
Sot në Shqipëri, sigurimi i makinës është thjesht një taksë tjetër e detyruar, por që nuk garanton asnjë mbrojtje reale në rast aksidenti. Shoferët paguajnë për sigurim me shpresën se në rast nevoje do kenë mbrojtje financiare. Por realiteti është ky: kompanitë nuk paguajnë, nuk përgjigjen, dhe qytetari mbetet vetëm.
Zgjidhja? Nuk ka, pa trysni publike dhe ndëshkim penal për mashtruesit
Derisa Prokuroria dhe AMF të mos hetojnë në thellësi këto kompani për mashtrim masiv, qytetarët do vazhdojnë të mashtrohen. Derisa të vendoset një standard detyrues për kohën e dëmshpërblimit dhe penalitete për çdo ditë vonesë, mashtrimi do të vijojë.
Thirrje për qytetarët
Nëse jeni viktimë e mashtrimeve të kompanive të sigurimeve, mos heshtni. Denonconi. Shkruani në redaksitë e pavarura. Bëjeni publike. Sepse nëse nuk i ekspozojmë, këto kompani do vazhdojnë të na trajtojnë si skllevër që duhet vetëm të paguajnë – por jo të kërkojnë të drejtën.
Publik.al po grumbullon të gjitha rastet abuzive nga kompanitë e sigurimeve.
📨 Dërgoni historinë tuaj në redaksinë tonë, me dokumentet përkatëse dhe ne do ta bëjmë publike.
Sepse heshtja është ajo që i mban të gjallë këta abuzues.