Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) është në prag të një riorganizimi të rëndësishëm në krye të saj, teksa përfundon mandati i parë pesëvjeçar i drejtueses aktuale, Aida Hajnaj. Kandidimi për drejtimin e këtij institucioni kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është mbyllur këtë të hënë, më 9 qershor, në orën 16:00.
Redaksia e publik.al ka mësuar katër nga emrat që kanë shprehur zyrtarisht interesin për këtë post të rëndësishëm:
- Gledis Nano – Ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me një karrierë të gjatë në strukturat e rendit dhe sigurisë. Nano u shkarkua në vitin 2022 nga kryeministri Rama, në një vendim të beftë, por ai mbetet një figurë me profil të lartë në fushën e hetimit dhe menaxhimit të strukturave të sigurisë.
- Joni Keta – Ish-oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe aktualisht zëvendësdrejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai vjen nga brenda strukturës dhe konsiderohet si një ndër figurat me eksperiencë institucionale dhe kontinutet të drejtpërdrejtë në punën e BKH-së.
- Mentor Cuku – Vëllai i kryekomisarit të ndjerë Artan Cuku, shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Mentor Cuku ka një karrierë të gjatë si oficer dhe emri i tij lidhet me një profil të lartë profesional, por edhe moral, për shkak të trashëgimisë familjare në shërbim të shtetit.
- Elton Kërluku – Ish-shef i Policisë me një eksperiencë të gjatë në menaxhimin e strukturave vendore të rendit publik. Edhe pse më pak i ekspozuar mediatikisht, Kërluku vlerësohet për përvojën operacionale në strukturat e Policisë së Shtetit.
Procesi i përzgjedhjes së drejtuesit të ri pritet të kalojë përmes një procedure vlerësimi nga Komisioni i Posaçëm i SPAK, i cili më pas do t’ia paraqesë propozimin final Prokurorit të Posaçëm. Emërimi përfundimtar bëhet nga Prokurori i Posaçëm, në përputhje me ligjin për BKH-në.
Ndërsa gara është e hapur, ajo zhvillohet në një moment kritik për institucionet e drejtësisë dhe veçanërisht për vetë SPAK-un, që ndodhet nën vëzhgim të rreptë publik pas një serie dosjesh të mëdha me ndikim politik, ekonomik dhe kriminal.
Emri që do të zgjidhet në krye të BKH-së do të ketë jo vetëm detyrën e vazhdimit të hetimeve kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, por edhe sfidën për të garantuar integritet dhe pavarësi në një mjedis institucional dhe politik gjithnjë e më të ngarkuar.