Kina, Rusia dhe Irani duan të rindërtojnë perandoritë që drejtonin dikur

Fantazmat e perandorisë po e përndjekin Euroazinë. Kina e presidentit Xi Jinping, po synon të rifitojë fuqinë dhe privilegjet e dinastive të mëdha që dominonin dikur Azinë. Presidenti Vladimir Putin po e kanalizon kujtesën dhe metodat e pushtuesve të famshëm nga e kaluara perandorake e Rusisë.

Ndërkohë Irani, po përdor milicitë mike, raketat por edhe mjete të tjera për të ndërtuar një sferë ndikimi që përfshin pjesë të Perandorisë së vjetër Persiane. Jo shumë kohë më parë, pjesa më e madhe e botës sundohej nga perandoritë. Në rast se shtetet e sotme revizioniste do të lejohen të kenë sukses, atëherë e ardhmja mund t’i ngjajë të shkuarës.

Perandoritë marrin shumë forma. Por në përgjithësi ky term i referohet një koleksioni të madh popujsh dhe territoresh, në të cilin fuqia rrjedh nga një qendër dominuese. Për shekuj me radhë, rendi dhe kaosi global kanë marrë formë nga përplasja midis perandorive rivale. Historia e madhe e gjeopolitikës së shekullit XX-të, ishte rënia ose shkatërrimi i perandorive të mëdha formale të Evropës dhe Azisë, dhe zëvendësimi i tyre nga një perandori ende më e madhe informale e udhëhequr nga SHBA-ja. Megjithatë, ëndrrat e perandorisë vdesin një ditë.

Ndaj historia e gjeopolitikës së shekullit XXI-të – të paktën deri më sot – është kërkimi i restaurimit të perandorive nga një mori autokracish ambicioze, që po bëjnë çmos që ta pengojnë mbarëvajtjen e rendit ndërkombëtar liberal aktual të drejtuar nga Uashingtoni.

Por kjo histori tregon edhe se sa të fuqishme dhe të dëmshme mund të jenë trashëgimitë historike. Perandoritë e dikurshme, që u përshtatën më me sukses me botën moderne, ishin ato që në fund e tejkaluan dramën e humbjes së madhështisë. Gjermania, Japonia, Britania e Madhe dhe të tjerët e pranuan, edhe pse ngurrim, se kishin më shumë gjasa të lulëzonin si anëtare të perandorisë së Amerikës, sesa duke u përpjekur që të ringjallnin të tyren.

Ndërkohë ato që po shkaktojnë sot më shumë telashe, janë ata të vendosura të ringjallin lavditë e së kaluarës. Perandoritë kanë ekzistuar gjatë gjithë historisë, gjë që nuk është befasuese duke pasur parasysh prirjen e të fortëve për t’u zgjeruar në kurriz të më të dobëtve. Dikur Roma sundonte një pjesë të madhe të botës së njohur. Kina dhe Rusia e sotme, janë trashëgimtare të shteteve perandorake që kontrollonin pjesën më të madhe të Euroazisë. Vetë SHBA e nisi historinë si pjesë e një Perandorie Britanike, që në një moment përfshinte gati gjithë globin.

Epoka e perandorisë e arriti kulmin e saj në fillim të shekullit XX-të. Siç e thekson historiani Richard Overy, para Luftës së Parë Botërore, Britania kontrollonte një perandori prej 31 milionë km2. Ndërkohë Perandoria Franceze, me vetëm 12.5 milionë banorë, ishte 20 herë më e madhe se vetë Franca.

Në këto kushte, kishte vetëm një pjesë të vogël vendesh të pavarura në Afrikë dhe Azi, njëra prej të cilave, Japonia, po ndërtonte për vete një perandori që do të shtrihej thellë në Azi dhe në pjesën më të madhe të Oqeanit Paqësor. Luftërat më të këqija të shekullit XX-të ishin luftërat perandorake.

Kështu Lufta e Parë Botërore, i kishte rrënjët në përplasjen midis perandorive austro-hungareze dhe ruse për ndikim në Ballkan, si dhe tek tensionet e krijuara nga dëshira e Gjermanisë për të dominuar Evropën dhe për të fituar zgjeruar ndikimin më tej.

Lufta e Dytë Botërore shpërtheu kur Gjermania, Japonia dhe Italia synuan të pushtonin territore të gjera, që do t’i bënin ato më të begata dhe të sigurta. Perandoritë mund të jenë burime fuqie: Gati 1.7 milionë indianë i shërbyen kauzës britanike gjatë Luftës së Parë Botërore. Ushqimi dhe lëndët e para nga perandoritë britanike dhe franceze mbështetën përpjekjet e aleatëve për luftë.

Leksioni që nxorën nga ai konflikt Gjermania naziste, Italia fashiste dhe Japonia Perandorake, ishte se zgjerimi i dhunshëm ishte çelësi për të pasur qasje tek tokat, tregjet dhe burimet që do t’i lejonin ata të sundonin një botë rivale.

Megjithatë, synimet për madhështi përfunduan shpesh në shkatërrim, duke nxitur tërbimin e koalicioneve kundërshtare. Perandoritë gjermane, japoneze dhe italiane u shkatërruan nga konfliktet globale që nisën këto vende. Por as fituesit nuk dolën shumë më mirë: Dy luftërat botërore dhe lëvizjet për pavarësi që i pasuan, shpërbënë perandoritë e Britanisë, Francës, Holandës dhe fuqive të tjera evropiane.

Perandoria cariste e Rusisë, u shemb nën presionin e Luftës së Parë Botërore, u ringjall si një perandori socialiste në formën e Bashkimit Sovjetik. Më pas u shpërbë sërish, kur u mund në Luftën e Ftohtë. Me të u duk sikur kishte marrë fund epoka e perandorive. Ose më saktë epoka e perandorive zyrtare.

Sepse Amerika nuk ka qenë asnjëherë një perandori sipas standardeve evropiane. Ajo nuk ka pasur asnjëherë një grup të madh kolonish jashtë shtetit. Pasi i dha pavarësinë Filipineve në vitin 1946, asaj i kishin mbetur pak mbetje të perandorisë formale. Por në atë moment, Uashingtoni po ndiqte një projekt tjetër perandorak.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ai mori përgjegjësinë kryesore për menaxhimin e ekonomisë globale, ashtu siç kishte bërë Britania, me marinën e saj dhe epërsinë e saj në tregti dhe financat ndërkombëtare, një shekull më parë. SHBA-ja lidhi aleanca ushtarake me vende anembanë Euroazisë, duke i kthyer disa prej tyre, si Gjermania Perëndimore dhe Japonia, de fakto në protektorate strategjike.

Po ashtu, ndërtoi dhjetëra baza ushtarake jashtë shtetit, që do ta lejonin atë të projektonte fuqinë e saj në skajet e largëta të botës. Uashingtoni ndërhyri në shkallë të ndryshme në politikën e brendshme të vendeve nga Evropa Perëndimore deri në Azinë Juglindore.

Ai e përdori fuqinë e vet të pakrahasueshme për të dekurajuar agresionin ushtarak dhe përhapjen bërthamore, për të kundërshtuar komunizmin e për të mbështetur (ndonëse në mënyrë selektive) demokracinë dhe për të vendosur rregullat globale të rrugës. Dhe falë Hollywood-it dhe kompanive të mëdha si Coca-Cola, arriti edhe dominimin kulturor.
Në aspektin e fuqisë dhe ambicies globale, SHBA tejkaloi çdo perandori të së kaluarës. Ky projekt ishte i motivuar kryesisht nga interesi vetjak, pra nga nevoja për të frenuar Bashkimin Sovjetik dhe për ta formësuar botën në mënyra që do ta bënin vetë SHBA-në të begatë dhe të sigurt.

Si të gjitha projektet perandorake, ka pasur edhe shumë akte moralisht të dyshimta, si mbështetja për kryengritjet apo për disa sundimtarë represivë në atë zonë që ne tani e quajmë Jugu Global. Ndikimi i SHBA-së mund të duket i mirë për vendet demokratike e të përparuara.

Por perandoria amerikane, duket shumë më kërcënuese për disa nga autokracitë e Euroazisë, të cilat i shohin vlerat liberale si kërcënime për regjimet e tyre, dhe e shohin fuqinë e SHBA-së si një pengesë për rifitimin e privilegjeve perandorake që gëzonin dikur. Presidenti rus e cilëson sot veten me krenari si një pushtues të madh si Carët dikur.

Këshilltarët e tij më të afërt janë Ivani i Tmerrshëm, Pjetri i Madh dhe Katerina e Madhe. Ai e sheh mohimin e sovranitetit të fqinjëve të tij, si një parakusht për të rivendosur kontrollin e Moskës mbi ta. Ashtu si Rusia, edhe Kina e sheh veten si viktimë e imperializmit evropian, japonez dhe amerikan, gjatë “shekullit të poshtërimit” që shtrihet nga fillimi i Luftërave të Opiumit në vitet 1830 deri në fund të luftës civile kineze në vitin 1949.

Por tani Kina është e fortë, krenare dhe dëshiron të rikrijojë një domen pothuajse perandorak. Fuqia e tretë revizioniste e Euroazisë, Irani, ka traditën e vet perandorake. Ai është pasardhës i Perandorisë Persiane dhe e dinastisë Pahlavi, që sunduan deri në vitin 1979. Dhe megjithëse Ajatollahët e Iranit fituan pushtetin duke i përmbysur Pahlavit, po përpiqen të ringjallin disa modelet e saj të vjetra të ndikimit.

Këto përpjekje të shekullit XXI-të për ringjalljen e perandorive, e rrezikojnë rendin liberal të Amerikës, duke kërcënuar rikthimin tek një botë në të cilën perandoritë zgjerohen dhe pushtojnë në forma më shtrënguese dhe më të dhunshme. /Marrë me shkurtime nga “Bloomberg”

Shënim:Hal Brands, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhons Hopkins, SHBA.

Publikuar nga Publik Media