Kjo është e reja që ndërroi jetë pas lindjes së binjakeve në Shkodër
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën, pasi një vajzë e re ka ndërruar jetë vetëm pak ditë pasi u bë nënë për herë të parë.
Migena Salihi, një vajzë e njohur për energjinë dhe përkushtimin e saj, humbi jetën si pasojë e komplikacioneve shëndetësore që u shfaqën menjëherë pas lindjes së dy vajzave binjake. Lajmi ka sjellë dhimbje të madhe tek familjarët, miqtë dhe gjithë komuniteti ku ajo jetonte.
Gjendja e saj u përkeqësua me shpejtësi dhe vetëm pak orë para ndarjes nga jeta u bë një apel urgjent për dhurim gjaku të grupit 0 negativ.
Thirrja u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale dhe shumë qytetarë reaguan menjëherë për të ndihmuar. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe solidaritetit të treguar, ajo nuk arriti të mbijetojë.
Migena kishte përfunduar studimet për mësuesi në Gjeografi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe ushtronte profesionin me pasion. Përveç angazhimit në arsim, ajo ishte aktive edhe në çështjet mjedisore si pjesë e shoqatës “Eko Mendje”, ku vlerësohej për energjinë dhe kontributin e saj.
Në jetën personale, ajo kishte nisur një kapitull të ri, pasi katër vite më parë ishte fejuar me partnerin e saj, me të cilin kishte ndërtuar ëndrrën e një familjeje.
Humbja e saj ka prekur thellë opinionin publik. Mesazhe ngushëllimi dhe kujtimi kanë vërshuar në rrjetet sociale, ndërsa miqtë dhe bashkëpunëtorët e saj kanë zgjedhur ta përjetësojnë kujtimin duke mbjellë një pemë në nder të saj, si simbol i jetës dhe gjurmës që la pas.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



