Klienti i preferuar i AKSH, Ermal Beqiri merr 7.5 MLN euro

Gerond Meçe me ofertë më të ulët,nuk është më i preferuari!

Përpjekja këmbëngulëse e Gerond Meçes dhe kompanisë së tij Advanced Business Solutions (ABS) për të kapur kontratën luksoze prej 7.5 milionë euro për përmirësimin e sistemit informatik të Thesarit të Shtetit, duket se ka dështuar përfundimisht.

Edhe pse ABS paraqiti ofertën më të ulët në garë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) shpalli fitues bashkimin e kompanive Communication Progress dhe Horizon, të cilat ofruan 1.7 milionë euro më shumë.

Oferta më e lirë, por jo “e dëshiruar”

Në tenderin ku u paraqitën disa subjekte, vetëm dy oferta u konsideruan të vlefshme:

  • Advanced Business Solutions – 5.1 milionë euro
  • Communication Progress + Horizon – 6.8 milionë euro

Por AKSHI, në mënyrë të diskutueshme, vendosi të skualifikojë ofertën e ABS, duke e justifikuar me mungesën e përmbushjes së kritereve teknike. Në vend të saj, fituese u shpall oferta më e shtrenjtë, një praktikë e përsëritur që ka ngjallur dyshime të forta për favorizim të aktorëve të njohur të skenës së tenderëve qeveritarë.

Ankesa, anulime dhe një histori që përsëritet

Tenderi u shpall në dhjetor 2024 dhe pritej të zhvillohej në janar. Por procesi u zvarrit për më shumë se katër muaj, pas ankesave të Meçes në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).

KPP i dha pjesërisht të drejtë ABS-së dhe urdhëroi AKSHI-n të rishikonte kriteret e tenderit. Megjithatë, në përfundim, ABS u përjashtua sërish, siç ka ndodhur me çdo tender ku ka marrë pjesë gjatë vitit të fundit.

Dikur klienti më i privilegjuar i AKSHI-t, kompania e Meçes është kthyer tashmë në të padëshiruarën e listës, e skualifikuar sistematikisht nga çdo garë publike në fushën e teknologjisë.

Nga “i afërm i oborrit”, në të përjashtuarin total

Gerond Meçe është përmendur në mënyrë të përsëritur nga opozita si “prestanom i familjarëve të Edi Ramës”. Madje, edhe zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar publikisht se kompania e tij është pjesë e “oborrit të Kryeministrit”.

Ironikisht, sot ABS është e përjashtuar nga çdo projekt shtetëror, pa shpjegim zyrtar – duke ngritur pyetjen: A po dënohet Meçe për të kaluarën e tij, apo ka ndryshuar balanca e klientëve që kontrollojnë AKSHI-n?

Çfarë do të përfshijë kontrata 7.5 milionëshe?

Objekti i kontratës është përmirësimi i Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë (SIFQ), përmes:

  • Përmirësimit të infrastrukturës hardëare
  • Kalimit nga Oracle E-Business Suite R12 (12.1.3) në versionin e përditësuar 12.2.13, në dy gjuhë: shqip dhe anglisht
  • Migrimit të të dhënave historike
  • Ruajtjes së kostumizimeve ekzistuese të sistemit
  • Trajnimit të përdoruesve, përfshirë manuale e konfigurime
  • Testimit të sistemit dhe garantimit të mirëmbajtjes 18-mujore

Një projekt me objektiva të rëndësishëm për menaxhimin financiar të shtetit, por që si çdo kontratë me shumë zero, mbetet në duart e të njëjtëve emra, me konkurrencën që herë skualifikohet, herë shtyhet, por rrallë herë fiton.

Publikuar nga Publik Media